Legalizimet, prapaskenat e dorëheqjes së Memisë nga ALUIZNI
TIRANË Dorëheqja e Shaban Memisë nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t është shoqëruar dje me heshtje nga përfaqësues të mazhorancës. Shaban Memia ka qëndruar vetëm 10 minuta në zyrën e tij të punës, duke i komunikuar stafit të tij të ngushtë vendimin që kishte marrë. Megjithatë, Memia sërish nuk ka pranuar të flasë për mediat mbi arsyet që e çuan në dhënien e dorëheqjes. Shaban Memia ka qëndruar drejtor i ALUIZNI-t për një periudhë gjashtëvjeçare, ndërkohë që puna e institucionit që ai drejtonte po kritikohej jo pak nga zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike. Pavarësisht heshtjes së Shaban Memisë, burime nga mazhoranca kanë konfirmuar se dorëheqja e tij lidhet drejtpërdrejt me kontrollin që grupi i punës i ngritur nga kryeministri Sali Berisha po realizonte në zyrat e ALUIZNI-t. Në fund të muajit shtator, Berisha firmosi një urdhër të posaçëm për kontrollin e Agjencisë së Legalizimeve. Për këtë kontroll ishte ngarkuar një grup pune, që në fund të afatit prej 45 ditësh duhet të hartonte edhe një raport për të dalë më pas me disa rekomandime konkrete. Vendimi për fatin e drejtimit të kësaj agjencie do të varej pikërisht nga përmbajtja e kontrollit, që do të zgjaste edhe disa ditë. Kontrolli intensiv nxori në pah edhe një debat të hershëm mes tij dhe drejtorit të ALUIZNI-t të Tiranës, Ferdinand Shehu. Për pasojë, në mënyrë krejt të beftë Memia shkarkoi Shehun për mungesë të integritetit moral, por që një ditë më pas u detyrua ta pezullonte me kërkesë të Këshillit të Ministrave. Përpos debateve të nxehta dhe shumë herë në heshtje mes dy ish-kolegëve, Memia vendosi të japë dorëheqjen, kërkesë kjo që në fakt nuk ka mbërritur ende në zyrën e kryeministrit Sali Berisha.