Grabisnin 20 banesa në natë, arrestohen tre shqiptarë në Spanjë
Policia spanjolle ka goditur një grup grabitësish, të cilët akuzohen se brenda natës kanë arritur të vjedhin deri në 20 banesa. Objektet e sulmit të tyre ishin kryesisht vila ose apartamente luksoze, në mënyrë të veçantë në Malaga e Cadice, ndërkohë që mësohet se janë vënë në pranga të dyshuarit si krerë të bandës, tre shqiptarë që kanë përgatitur edhe planet për grabitjet, dy rumunë që kanë bashkëpunuar në mënyrë indirekte, si dhe tre spanjolle. Pesë meshkujt janë shoqëruar për në burg, ndërsa tre gratë janë liruar nga akuzat. Faktet janë bërë të ditura përgjatë një konference për shtyp të përfaqësuesit të qeverisë në Malaga, deputetit Hilario Lopez Luna, i cili ka deklaruar se është arritur një rezultat brilant në këtë operacion të koduar “Tartavell”, ku është vënë në pranga një bandë grabitësish me krerë shqiptarë. Organizata kriminale është konsideruar përgjegjëse për 12 sulme në banesat e Malagas, Cadice e shtatë në Cordoba, ndërkohë që banorët e banesave kanë qenë duke fjetur. Ndërkohë që, në total numri i krimeve për të cilat akuzohen pesë të arrestuarit janë 40 vjedhje. Operacioni është finalizuar nga Task-Force kundër krimit të organizuar (ECO), Qendra e Bashkuar Operative (OCU) e Guardia Civile me seli në Malaga, pranë gjykatës Nr. 1, Marbella (Malaga). Hetimet kanë nisur në maj të këtij viti, kur Guardia Civile është informuar përmes bashkëpunëtorëve në publik, se një grup shqiptarësh, pa asnjë aktivitet pune, kishin një ambient luksi në qytetin Mijas-Costa Malaga dhe mund të ishte në funksion të aktiviteteve ilegale. Siç edhe kanë shpjeguar hetuesit pas operacionit, grupi kishin piketuar një sulm vjedhjesh në Valle Guadalhorce. Shqiptarët janë konsideruar përgjegjësit e turit të vjedhjeve në brigjet andaluze. Ata, sipas hetuesve, kanë qenë të pajisur me armë zjarri, por që vetëm një herë, në një banesë në San Roque (Cadice), ka pasur një të shtënë. Gjatë grabitjeve, të akuzuarit kanë marrë kasaforta në banesat e grabitura. Në operacion policia ka sekuestruar bizhuteri dhe ora të markave mjaft të njohura, disa prej të cilave me vlerë mbi 15.000 euro; si dhe mallra kompjuterike si kompjuterë, videokamera, aparate fotografike dhe telefona celularë. Gjithashtu, gjatë operacionit u bllokuan edhe dokumente false, dy pistoleta, çanta, portofola të markave prestigjioze, instrumente për vjedhje, radiomarrëse dhe veshje të errëta, objekte të përdoruara për të realizuar vjedhjet. Gratë e përfshira në këtë grup ishin përgjegjëse për kalimin e të ardhurave të krerëve të grupit në Shqipëri dhe Rumani, ndërkohë që automjetet e sekuestruara u ishin shitur të dënuarve spanjollë, të cilat dyshohet të jenë përdorur për trafikun e drogës midis Marokut dhe Spanjës. Ndërkohë që në njërën nga banesat në Marbella janë gjetur edhe 125 kg hashash. Deputeti ka theksuar rëndësinë e operacionit, duke deklaruar se “tashmë këta persona gjenden në burg dhe nuk do të vazhdojnë të kryejnë me vjedhje apo krime të tjera”.