Rama: Të hapen kutitë, ndryshe përshkallëzim protestash pas 10 tetorit
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i është përgjigjur sot kryeministrit Sali Berisha, duke i thënë se PS-ja nuk hyn në parlament pa u plotësuar kërkesa e patjetërsueshme për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai ka kujtuar sot gjatë një konference për shtyp, se me të gjithë opozitën do të përshkallëzohet manifestimi i protestës për shkeljen e ligjit që garanton hapjen e kutive të votimit.
Manifestimi opozitar i të shtunës, sipas Ramës është vetëm fillimi i një përpjekje që do të shtrihet në çdo rrugë të vendit, në qoftë se pushteti i lindur nga grabitja e votave nuk hap kutitë e 28 qershorit.
"Të shtunën 10 tetor e gjithë opozita, paqësisht, por me shumë forcë, do të protestojë për t'i dhënë fund çdo lloj dhune mbi votën e mbi njerëzit që masivisht po vazhdojnë të hiqen nga puna për shkak të bindjeve e përkatësive të tyre politike"- tha Rama.
Ai i ka bërë apel Sali Berishës të kuptojë se nuk mund të vazhdojë të tallet më shqiptarët duke u thënë përditë se opozita po pengon heqjen e vizave, sepse shqiptarët janë paralajmëruar prej nesh, kohë më parë, që me Sali Berishën e me pushtetin e tij, Shqipëria do të mbetej, siç mbeti, jashtë programit të heqjes së vizave ku u futën Serbia, Mali i Zi e Maqedonia.
"Sali Berisha duhet të japë llogari pse nuk u fut Shqipëria ne grupin e këtyre vendeve, gjë e vendosur shumë më parë se opozita vendosi të mos hynte në Kuvend për shkak të grabitjes së votave. Dhe këtë llogari do ia kërkojmë ne që të gjithë edhe të shtunën pasdite në 10 tetor përpara zyrës së tij"- tha më tej Rama.
Ai ka shtuar se PS-së i intereson Shqipëria evropiane për të gjithë dhe jo Shqipëria evropiane për Sali Berishën, Ilir Metën, Fatos Nanon dhe për kompaninë e tyre, bashkë me oborret e tyre, klanore dhe familjare.
dt 5 tetor
Berisha tjetër ftesë opozitës. PS: Kthehemi pas hapjes së kutive
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha i drejtohet sërish me një ftesë opozitës për të marrë pjesë në Kuvend, duke e garantuar se zëri i saj për reformat do të dëgjohet.
Ndërkohë që Partia Socialiste reagon duke i vendosur të njëjtin kusht për të bërë transparencën e zgjedhjeve.
Deklaratën Berisha e ka bërë sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, gjatë së cilës ai ka theksuar se do të ndryshojë edhe Kodin Zgjedhor. "Ftoj opozitën të japë kontribut në parlament për reformat. E garantoj se zëri i saj do dëgjohet madje në përmirësimet e kodit ne bazë të sugjerimeve të OSBE-së, opozita do të ketë rol vendimtar", tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Ai ka shtuar më tej se pjesëmarrja e opozitës do të jetë një dëshmi e saj në mbështetje të punës që po bëhet për liberalizimin e vizave.
PS: Të lejohet hapja e kutive
"Kryeministri ka vetëm një rrugë për ta kthyer opozitën në parlament dhe jetën politike në normalitet: Të mos pengojë zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, të plotësojë kërkesën e opozitës për hetim parlamentar të pavarur prej tij, dhe të mos mbajë peng kutitë e votimit, por të lejojë hapjen e tyre para popullit". Ky është reagimi i PS-së, fill pas ftesës së sotme të Berishës.
Gjatë një deklarate për mediat zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj ka theksuar se nëse nuk lejohet transparenca, Berisha do të përballet me pasojat e vjedhjes së votave, fshehjes së provave dhe e mbajtjes së pushtetit përmes deformimit të vullnetit të popullit.
"Sa për vizat zoti Berisha duhet të japë llogari, jo të kërkojë llogari! Prandaj sa më e jetëshkurtër e kjo qeveri, aq më e shkurtër rruga e shqiptarëve për në Europë"- tha ajo.