Shqipëria, në listën “Shengen”
Një lajm i mirë ka mbërritur dje nga zyrat e Parlamentit Evropian, i cili po mban një sesion parlamentar në Bruksel. Shqipëria është futur në hapësirën “Shengen” të lëvizjes së lirë dhe kjo do të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Komisioni i Jashtëm i PE-së ka vendosur të fusë në listën e vendeve që do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave edhe Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën që kishin mbetur pak pas nga tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Vota në shumicë dërrmuese në këtë komision të rëndësishëm i hap përfundimisht dritën jeshile heqjes së vizave dhe tashmë mbetet vetëm kalimi në hallkat e mëtejshme të vendimmarrjes së institucioneve të Bashkimit Evropian dhe sigurisht varet dhe nga ecuria e plotësimit të kushteve nga ana e vendit tonë. Propozimi i bërë nga eurodeputetja sllovene Tanja Fajon ka marrë 68 vota, por edhe 8 kundër dhe parashikon futjen në listën e vendeve që do t’u hiqet vizat të Shqipërisë dhe Bosnjes dhe gjithashtu propozimin për nisjen e bisedimeve me Kosovën për një proces të ngjashëm. Vendimi i Komisionit të Jashtëm do t’i kalojë brenda disa ditëve për votim Asamblesë së Përgjithshme, ku nuk pritet të hasë pengesa. Ndërsa për tri vendet e tjera është përcaktuar data 1 janar 2010, për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, data do të jepet kur të plotësohen kushtet e përcaktuara nga BE-ja për liberalizim të vizave, siç janë siguria e plotë e kufijve, pasaportat biometrike, azili etj. Tanja Fajon, një anëtare e Komitetit të Çështjeve të Drejtësisë dhe Lirive Civile, raportoi dje para Komisionit të PE-së. Duke u bazuar në raportin e saj ky komision ka vendosur gjithashtu që të nisë dialogun me Kosovën për planin e liberalizimit të vizave, pa paragjykuar statusin e Kosovës. Parlamentarja sllovene Fajon ka shpjeguar në këtë komitet se mungesa e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën i izolon këto vende. Para pak ditësh eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, bëri rekomandimin për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në hartën e liberalizimeve, duke kërkuar amendimin e Rregullit të Komisionit Evropian për vizat për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo argumentoi se këto dy vende, të cilat duhet të përmbushin standardet e nevojshme, të mos u nënshtrohen procedurave të gjata legjislative edhe një herë, por ato të përfshihen në regjimin pa viza automatikisht sapo Komisioni të jetë i kënaqur se kanë plotësuar kushtet. “Sa i përket Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, përjashtimi nga kërkesat për vizë duhet të zbatohet pa vonesë, menjëherë pas vlerësimit nga Komisioni që secili prej atyre vendeve i plotëson të gjitha standardet e përcaktuara në planin për liberalizimin e vizave", - theksohet në draftin e eurodeputetes Fajon.