E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Negociata për Presidentin? Lexoni Kushtetutën

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përjashton mundësinë e negociatave paraprake për zgjedhjen e Presidentit. Në një deklarim për mediat, ajo shprehet se dispozitat e Kushtetutës për Presidentin janë konsensuale.

TIRANË Partia Demokratike tregon Kushtetutën, sa herë që në lojë futet çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kështu ka vepruar dje edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, teksa është pyetur nga media, mbi ofertën e fundit të hedhur dy ditë më parë nga PS-ja, për nisjen e negociatave për zgjedhjen e Presidentit të ri. “Së pari dua t’ju ftoj të gjithë ju gazetarëve, që të lexoni dispozitat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe do të gjeni se këto janë dispozita konsensuale. Pra, janë e kundërta e dispozitave bllokuese apo destruktive. Dispozita e zgjedhjes së Presidentit është dispozitë konsensuale. Përsa i takon ditës së djeshme në lidhje me bllokimin e të gjitha ligjeve, që kërkonin 3/5-at dhe janë ligje të axhendës së integrimit, për mua personalisht dhe për të gjithë shqiptarët besoj se ka qenë një ditë e trishtueshme. Opozita duke bllokuar këto ligje, në fakt i ka bërë një dëm tjetër të madh vendit, pas dy vitesh që i bënë përmes bojkoti Parlamentit dhe zhvillimeve të mëtejshme të Shqipërisë”,- tha dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në deklarimin e saj për mediat, Topalli shtoi se mazhoranca është e hapur për çdo diskutim, që vjen brenda normave kushtetuese. “Përpjekjet tona nuk do të rreshtin kurrë për të qenë të hapur me opozitën, për të bashkëpunuar brenda rendit kushtetues dhe për të marrë me seriozitetin më të madh çdo propozim, që ata sjellin”, - tha kryetarja e Kuvendit, e cila edhe pse është pyetur sërish për mundësinë e gjetjes së konsensusit për Presidentin, ajo është përgjigjur me dispozitat kushtetutese. Dy ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruci, iu referua vitit 2002, ku pavarësisht se opozita, asokohe në pushtet, ka pasur 84 vota, ajo u fut në negociata me PD-në për të gjetur një emër konsensual për Presidentin. “Kemi qenë në pushtet, kemi pasur edhe 84 vota për të zgjedhur Presidentin, por u ulëm një javë dhe negociuam me ju dhe pranuam ofertën tuaj. Ne jemi gati të ulemi të negociojmë për të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese, uluni negocioni!”,- u shpreh Ruci dy ditë më parë. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. “Për herë të parë kemi hasur dhe në oferta të reja që të nisim negociatat për Presidentin e ardhshëm. Në rast se ju mendoni që bashkëpunimi juaj për reformat integruese duhet të marrë në këmbim pushtetin, sigurisht që gaboheni rëndë”, - u përgjigj ai. Një ditë më pas, ky qëndrim përforcohet teksa Topalli i referohet vetëm Kushtetutës dhe asnjë negociate paraprake për zgjedhjen e Presidentit. Në bazë të Kushtetutës në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 84 vota. Në rast se Presidenti nuk zgjidhet tre raundet e para atëherë në raundin e katërt kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›