E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimi i ndërtimeve në bregdet, Kuvendi çel procedurat

26/10/2009  Komisioni parlamentar i Ligjeve do të shqyrtojë sot raportet e reja shtet-qiramarrës

Legjislativi pritet t’i japë fund kaosit të krijuar me pronat në bregdet, duke miratuar projektin më të fundit të qeverisë shqiptare, i cili synon të rregullojë marrëdhëniet mes pronarit të truallit-shtet dhe subjektit të interesuar - pronar i njësisë së ndërtuar në pronën e dhënë me qira personit të stimuluar. Projekti “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, - do të merret sot në shqyrtim nga Komisioni parlamentar i Ligjeve dhe pritet që brenda këtyre dy javëve ai të miratohet nga Parlamenti. Sipas afateve procedurale, qytetarët shqiptarë që kanë në pronësi ndërtime në zonat me përparësi turizmin, bregdet ose jo, do të mund të privatizojnë truallin dhe ndërtimet mbi to në fillim të vitit të ardhshëm. Në projekt sqarohen rastet kur për të njëjtën pronë kanë pretendime dy ose më shumë persona. Në këtë rast ALUIZNI, agjencia e ngarkuar për zbatimin e këtij ligji, lidh kontratën e kalimit të truallit në pronësi me personin, i cili paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale. Mosmarrëveshjet për të drejtat reale zgjidhen nga gjykata përkatëse. Në zbatim të këtij ligji, subjekti i interesuar ose personi i stimuluar kanë të drejtë të kërkojë blerjen e truallit të njësisë së ndërtimit, të cilën provon se e gëzon në bazë të dokumenteve të paraqitura në respektim të ligjit. Çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar është në proporcion me sipërfaqen e tij në funksion të njësisë së ndërtimit që ai gëzon. Subjekti i interesuar dërgon tek ALUIZNI dokumentet që kërkon ligji, shoqëruar me kërkesën. ALUIZNI në bashkëpunim me AKKP-në bën verifikimin nëse ka pretendime pronësie mbi zonën e stimuluar dhe kërkon nga Zyra e Regjistrimit të pasurive të paluajtshme çregjistrimin e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit. Nëse trualli i shitet subjektit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80 % të vlerës së truallit prej subjektit dhe 20 % e kësaj vlere nga personi i stimuluar. Trualli i fituar në bashkëpronësi nga dy ose më shumë persona nuk lejohet të ndahet. Për sa u takon procedurave të kalimit të së drejtës së pronësisë së njësisë së ndërtimit, ligji i njeh të drejtën mbi njësinë subjektit të interesuar pas fitimit të pronësisë mbi truallin si dhe personit të stimuluar për njësinë e ndërtimit që e gëzon sipas marrëveshjes së qirasë dhe të zhvillimit. Në mungesë të kërkesës për kalimin e truallit në pronësi ai vlerësohet i lirë dhe kalon për llogari të kompensimit fizik të ish-pronarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›