E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimi me bono, procedura e re për pagesën e tokës

14/03/2010 Ata që kanë paguar, kërkesë për rishqyrtim. Të tjerët pagesën e zgjedhin në zyrat postare

Tashmë qytetarët mund të bëjnë pagesën me bono privatizimi për të legalizuar objektet e ndërtuara pa leje. Ligji i ri ka hyrë në fuqi dhe u jep mundësi qytetarëve që nëse dëshirojnë mund të shmangin pagesën me para në dorë duke aktivizuar bonot. Megjithëse dje ka qenë dita e parë e fillimit të këtij procesi, fluksi i kërkesave ka qenë në nivelin mesatar, por sipas specialistëve të ALUIZNI-t, nga dita e hënë dhe në vazhdim do të jetë i lartë. Individët, të cilët kanë kryer pagesën e legalizimit në lekë kanë 3 muaj kohë, për të dorëzuar pranë ALUIZNI-t kërkesën për të përfituar nga pagesa me bono privatizimi. Në të qytetarët duhet të përcaktojnë saktë masën e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi dhe më pas agjencia do të shqyrtojë çdo rast për të bërë rimbursimin. Edhe ata që kanë ende një pjesë të mbetur parcele të palegalizuar, mund ta legalizojnë duke bërë pagesën në bono privatizimi siç parashikon ligji. Ndërkohë që në qershor mbyllet afati për paraqitjen e kërkesave, duke qenë se është lënë në dispozicion periudha 3-mujore. Ndërkohë që pjesa tjetër e qytetarëve që janë ende në proces, nuk do të kenë nevojë ti drejtohen zyrave të ALUIZNI-t me një kërkesë të tillë. Drejtori i Agjencisë së Legalizimit për Tiranën, sqaron se këta persona duhet ti drejtohen zyrave postare ku do të kenë dy mundësi zgjedhjeje, pagesën me para në dorë ose me bono privatizimi. Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit, ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Ndërkohë, për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi dhe pjesa tjetër me vlerën e tregut. Tashmë procesi është hapur dhe ka qenë vetë Kryeministri, Sali Berisha, ai që u kërkoi vetëm dy ditë më parë qytetarëve që të fusin në përdorim bonot e privatizimit, duke qenë se është një mundësi që u është ofruar nga qeveria

Interesi

Pagesa me bono privatizimi do të thotë përfitim monetar për qytetarët, pasi aktualisht në tregun e lirë ato mund të blihen për vetëm 14 për qind të vlerës së tyre. Duke pasur parasysh sipërfaqet e tokës që mund të paguhen me këto bono në raport me vlerën e tregut, interesi është shumë i madh.

Financat

Ashtu si dhe për rishpërndarjen e bonove që janë të depozituara në fondet e investimeve dhe nuk janë tërhequr nga qytetarët, edhe Agjencia e Legalizimeve pret edhe një udhëzim të fundit nga Ministria e Financave për procedurat që do të ndiqen në kryerjen e pagesave me këto letra.

Duke parë interesin, kambistët deklarojnë se akoma do të rritet vlera

Çmimi i bonove rritet sërish, dje 14 për qind në treg

Brenda disa ditësh vlera e bonove të privatizimit rritet sërish në treg. Me fillimin e procesit të pagesave për legalizimin e objekteve me bono privatizimi, vlera e këtyre të fundit arriti në 14 për qind, duke shënuar një rritje me 3 për qind brenda pak ditësh. Duket se fillimi i këtij procesi ka qenë i mbarë për rritjen e vlerës së këtyre bonove, por kambistët nuk shprehen shumë optimist nëse kursi i këmbimit do të rritet sërish apo do të qëndrojë në këto nivele. Kjo për shkakun se nuk është konstatuar fluks i madh qytetarësh, të cilët kërkojnë të blejnë bono, megjithatë dje ka qenë dita e parë dhe nuk mund të flitet saktësisht. Tregu i bonove të privatizimit vazhdon të mbetet një treg i paqëndrueshëm, pasi interesi i qytetarëve nuk është i lartë. Të paktën brenda këtyre dy javëve të fundit vlera e këtyre letrave ka ndryshuar disa herë, por vetëm me rritje. Kështu, para 3 ditësh bonot bliheshin me 11 për qind dhe u shitën nga kambistët me 12.5 për qind, ndërkohë që vetëm 1 javë më parë vlera e tyre arrinte në vetëm 7 për qind. Brenda një harku kohor prej 8 muajsh, vlera e bonove të privatizimit ka shënuar shumë ulje ngritje ku pikën më të lartë e arritën në gushtin e vitit të kaluar. Nga ana tjetër, vetë qytetarët po tregohen skeptikë për vlefshmërinë e bonove të privatizimit dhe nuk dinë nëse është më me shumë interes ti shesin bonot që disponojnë, apo të blejnë të tjera në pritje të përfshirjes së tyre në privatizim.

Situata

Por realisht procesi i pagesës për legalizim me bono ka filluar dhe interesi për blerjen e tyre nga ana e qytetarëve është rritur ndjeshëm, ndërkohë që afati për këtë proces zgjat vetëm tre muaj. Por kjo nuk do të thotë se interesi për të blerë do të zgjasë vetëm tre muaj, pasi parashikohet aktivimi i tyre edhe në procesin e privatizimit.

Ligji

Tashmë qeveria ka vendosur të riaktivizojë një sasi të konsiderueshme bonosh privatizimi, të bllokuara në disa fonde investimi prej shumë vitesh, duke ua shpërndarë atë qytetarëve. Miratimi i projektligjit për "Sipërmarrjet e investimeve kolektive", parashikon që të gjitha bonot e privatizimit të investuara në këto fonde investimi do t"ju shpërndahen individëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›