E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimi me letrat me vlerë, 3 muaj afat pas daljes së ligjit

Projektligji që propozon përfshirjen e bonove të privatizimit si mënyrë pagese në legalizimin e ndërtimeve pa leje, ka mbërritur dhe është diskutuar në komisionin kuvendor të ligjeve. Ideja e propozuar fillimisht nga kryeministri Berisha gjatë fushatës elektorale dhe e shndërruar në projektligj nga qeveria, ka efekt prapaveprues. Pra parashikon përfitim jo vetëm nga personat që janë aktualisht në proces legalizimi por edhe nga ata që kanë kryer tashmë pagesën, duke ju rimbursuar këtyre të fundit vlerën në lek kundrejt derdhjes së të njejtës vlerëe në bono privatizimi. Futja e letrave me vlerë tenton të përshpejtojë procesin e legalizimit. Në fakt, nga shndërrimi në ligj i këtij drafti, qytetarët do të kenë vetëm 3 muaj kohë për të aplikuar pranë Aluiznit për pagesën me anë të letrave me vlerë. Edhe bonot e privatizimit të shpërndara për ish-të përndjekurit politikë do të mund të përdoren në këtë proces. Me këto letra me vlerë, do të mund të paguhet 80 për qind e detyrimit ndaj Aluizinit për sipërfaqet deri 300 metra katrorë që ndodhen brenda vijës së verdhë e që janë në funksion banimi. Ndërsa për ndërtimet në proces legalizimi që kanë karakter social ekonomik, pagesa për të cilat përllogaritet me çmimet e tregut, bonot e privatizimit do të mbulojnë vetëm 50 për qind të kësaj vlere. Diskutimet në komisionin e ligjeve, pritet të rikthehen edhe ditën e martë pas përllogaritjes së impaktit që këto ndryshime do të kenë te arka e shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›