E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizohen 23 mijë ndërtime pa leje

Berisha kërkoi të mos legalizohet asnjë objekt pa leje që ndodhet në zonat turistike
"Në këtë sipërfaqe gjenden 23 mijë e 91 ndërtime, sipërfaqe ndërtimi 320 hektarë e përfitojnë rreth 15 mije familje"
TIRANË- Janë 31 zona të tjera informale që mund të konsiderohen tashmë të legalizuara. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka dhënë miratimin dje që këto 31 zona informale, të cilat gjenden në qarkun e Tiranës, Durrësit, Lezhës, Elbasanit, Shkodrës dhe Gjirokastrës, të futen në procesin konkret të legalizimit, çka presupozon plotësimin e dokumentacionit tekniko-ligjor për çdo ndërtim pa leje që është ndërtuar mbi këto zona. Në sipërfaqen e tyre, e cila është 3149 hektarë, gjendet rreth 23 mijë e 91 ndërtime, sipërfaqe ndërtimi 320 hektarë dhe nga legalizimi i këtyre ndërtimeve do të përfitojnë rreth 15 mijë familje. I pranishëm në mbledhjen e djeshme të KKRTRSH-së ka qenë edhe kreu i Agjencisë së Legalizimit, Shaban Memia, i cili ka bërë një prezantim të zonave formale që u miratuan. Duke ftuar anëtarët e Këshillit që të miratojnë këto zona informale, Shaban Memia informoi se nga miratimi i tyre dhe legalizimi i objekteve pa leje, që janë ndërtuar mbi sipërfaqet në fjalë, do të bëhet e mundur të futet në ekonomi një kapital prej rreth 700 milionë eurosh, që aktualisht është i ngrirë. "Me strukturën ndërtimore me kate, rezulton një sipërfaqe prej 350 ha, që me një kosto minimale 200 euro për m2, përbën një kapital të mbetur prej 700 milionë eurosh. Nga këto, 544 ha janë ndërtime në tokë të vetë pronarit dhe 421 ha në territore publike. Rreth 28 për qind e tyre i përkasin tokave me pronarë të ligjshëm dhe do të jenë objekt i kompensimit",- është shprehur Memia. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, pasi ka dëgjuar ekspozenë e bërë nga kreu i ALUIZNIT, ka bërë thirrje që të kihet kujdes për të mos u legalizuar asnjë objekt pa leje, i cili ndodhet në zonat turistike. Gjithashtu, ai ka kërkuar kujdes edhe në legalizimin e ndërtimeve mbi zonat arkeologjike dhe historike, ku sërish "nuk duhet të ketë asnjë legalizim në këto zona". Kryeministri Berisha ka kërkuar që në procesin e legalizimit të zonave informale brenda qytetit të vendoset një dialog konstruktiv me autoritetet e qeverisjes vendore, në mënyrë që të zbatohet me rigorozitet ligji. "Në procesin e legalizimeve të zonave informale brenda qytetit, duhet të keni një dialog konstruktiv me autoritet vendore, në mënyrë që të zbatohet me rigorozitet ligji dhe t'u jepet përgjigje problemeve që dalin",- u shpreh Kryeministri Berisha.
Disa nga zonat Informale të miratuara në KRRTRSH
19 zona në qarkun e Tiranës
Njësia Bashkiake numër 1, një zonëNjësia Bashkiake numër 3, një zonëNjësia Bashkiake numër 5, një zonëNjësia Bashkiake numër 8, një zonëBashkia e Kavajës 2 zoneBashkia e Vorës 2 zonë Bashkia e Ndroqit 1 zonëBashkia e Pezës 1 zonëKomuna e Bërxullit 1 zonë Komuna e Prezës 3 zona Komuna e Syneit 1 zonëBashkia e Kamzës 1 zonëKomuna e Farkës 1 zonëKomuna e Kasharit 1 zonë
3 zona informale në qarkun e Shkodrës
Zona e BaçallëkutVau i DejësKomuna Rrethinë
1 zonë informale në qarkun e DurrësitZona e Shkozetit
5 zona informale në qarkun e Elbasanit
Zonat informale 2, 3, 4, dhe 43 në Bashkinë e Elbasanit Komuna e Bradasheshit 1 zonë
1 zonë informale në qarkun e GjirokastrësKomuna e Lazaratit
Jepet leja e ndërtimit për fabrikën e çimentos në Lezhe që s'ka fituar ende titullin e pronësisë
Gjana: Të kthehen paratë e shitjes së tokave me tituj pronësie të paligjshëm
TIRANË- Të gjithë ata persona që kanë përfituar para nga shitja e tokave me tituj pronësie të paligjshëm do të kthejnë paratë e tyre. Paralajmërimi është bërë sërish dje nga ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës, ndërsa po diskutohej për miratimin e lejeve të ndërtimit të fabrikave të çimentos, njëra në Lezhë dhe tjetra në Krujë. Ministri, ndërsa po diskutonte lidhur me çështjen në fjalë, ka theksuar se paratë që janë marrë nga shitja e tokave me tituj pronësie të paligjshëm do të kthehet, dhe ka kërkuar vëmendjen e anëtarëve të KRTRSH-së për respektimin e titujve të pronësisë, në çfarëdolloj rasti. "Duhet pasur kujdes në trajtimin e kësaj çështjeje, ndaj kërkoj më tepër vëmendje në respektimin e titujve të pronësisë' gjithashtu, më duhet të theksoj se të gjithë ata persona që kanë marrë para nga titujt e pronësisë së pasurive të paluajtshme, në mënyrë të paligjshme, do t'i kthejnë të gjitha", është shprehur ministri i Bujqësisë, pasi gjatë diskutimit për dhënien e lejes së ndërtimit të fabrikës së çimentos në Lezhë është konstatuar fakti se, ndërtuesit e kompanisë që kanë kërkuar lejen nuk kishin siguruar ende titullin e pronësisë për një pjesë e territorit mbi të cilit do të ndërtohet fabrika. Por, pas vërejtjes së ministrit Jemin Gjana, ndërtuesit kanë ndërhyrë duke informuar se, titulli i pronësisë së tyre shumë shpejt do t'u kalojë ligjërisht, pasi ai është ende në proces shqyrtimi. Pas diskutimit të ministrit të Bujqësisë dhe ndërtuesve të firmës, fjalën e ka marrë Kryeministri Berisha, i cili është shprehur se leja e ndërtimit për ndërtimin e fabrikës do të jepet pasi të sillet dokumentacioni i plotë. Gjithsesi, KRTRSH-ja ka miratuar dje lejen përkatëse dhe firma e ndërtimit është autorizuar për ndërtimin e fabrikës së çimentos. 
AKKP sqaron në një letër dërguar Ministrit të Drejtësisë objektivat që ajo synon të realizojë për vitin 2008-të
Fondi fizik dhe kompensimi financiar 6-mujorin e parë, synimet e AKKP
TIRANË- Krijimi i fondit të kompensimit fizik dhe realizimi i kompensimit financiar për vitin 2008-të brenda 6 mujorit të parë janë dy objektivat kryesore që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave synon të realizojë për vitin 2008-të. Kjo është parashikuar qartë në një letër drejtuar Ministrit të Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj nga Drejtori i AKKP-se, Besnik Maho. Në letrën e dërguar, Maho sqaron se në funksion të objektivit për krijimin e fondit të kompensimit fizik, qëllimi kryesor duhet të jetë evidentimi, saktësimi i sipërfaqeve të paluajtshme, pronë shtetërore si dhe pajisjen e këtyre pasurive me të gjithë elementët e nevojshëm që kërkon një pasuri e paluajtshme në ZRPP përkatëse, të cilat do të përbëjnë fondin e kompensimit fizik, për subjektet e shpronësuara. Për këtë arsye, Drejtori i AKKP-së kërkon evidentimin e gjithë sipërfaqes së tokës bujqësore e jo bujqësore, pyje, kullota e livadhe, disponibël shtetërore dhe në administrim të institucioneve kërkimore e shkencore, që rezulton e pandare sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. (Ligji 7501 « Për Tokën » etj). Synohet gjithashtu evidentimi i gjithë sipërfaqeve të trojeve të lira dhe pasurive të tjera të paluajtshme, në administrim të ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore, që rezultojnë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre. Grumbullimi i të dhënave nga institucionet dhe përgatitja e dokumentacionit për pronat në nivel qarku, si dhe përpilimi i hartave me pronat përkatëse në nivel qarku, janë të tjera objektiva që sipas drejtorit të AKKP-së duhet të përfundojnë brenda 3 muajve. Do të kërkohet gjithashtu dosja e dokumentacionit të pronës për çdo pasuri që do të shërbejë për kthimin e fondit fizik për tokën bujqësore, tokat në zonat turistike, për tokat pyjore, kullota e livadhe.
Mbledhja e informacionit
Ndër objektivat e AKKP-se përfshihet edhe mbledhja e informacionit nga Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pasurisë së Paluajtshme. Kjo Agjenci, sipas AKKP-së disponon të gjithë informacionin për pasuritë shtetërore. Ajo që kërkohet, është kalimi i gjithë informacionit që disponon Agjencia e Inventarizimit të Pronave Shtetërore, në mënyrë të detajuar AKKP-së në formë manuale dhe digjitale. Për këtë arsye kërkohet përfundimi i evidentimit të gjendjes së tokës bujqësore nga Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, punë e cila ka nisur tashmë. Mbledhja e informacionit qe disponon Ministria e Mbrojtjes për të gjitha pronat që janë pjesë e Forcave te Armatosura dhe ato që nuk janë pjesë e Forcave te Armatosura, si dhe mbledhja e të gjithë informacionit që disponojnë ministritë dhe organet e tjera qendrore për pronat që kanë në administrim.
Vendimet për pronat, tashmë në një hartë
TIRANË- Vendimet e 2000 dosjeve për pronat pritet të hidhen së shpejti në hartë. Për këtë arsye në bashkëpunim dhe me OSBE-në po realizohet një projekt pilot. Me anë të këtij veprimi synohet që të përmirësohet dhe baza e të dhënave të krijuar në AKKP me vendimet e dhëna që nga 1993 e në vazhdim, duke shtuar informacionet dhe duke krijuar mundësinë e një aksesi sa më të shpejtë. Paralelisht me këtë do të skanohen hartat e vendimeve të mëparshme dhe do të hidhen ato në hartat me të cilat punon sistemi i regjistrimit. Hedhja do të behet si për pronën e njohur, ashtu dhe për pronën e kthyer. Gjithë ky informacion synohet të bëhet si në forme manuale ashtu dhe digjitale. Një tjetër synim i AKKP-së do të jetë edhe shqyrtimi i kërkesë-ankesave të subjekteve të shpronësuara brenda afateve ligjore. Për këtë arsye kërkohet rritja e bashkëpunimit institucional me ato institucione që vonojnë dhënien e konfirmimeve për gjendjen juridike të pronësisë dhe administrimin e saj. AKKP kërkon që të plotësohet edhe kuadri ligjor për një zbatim sa më të drejtë dhe të efektshëm të ligjit nr.9235, dt 29.07.2004, "Për kthimine pronës", të ndryshuar, sidomos për miratimin e afatit të ri ligjor pasi në ZRKK Pronave, janë në pritje për t'u shqyrtuar një numër i konsiderueshëm kërkesash të cilat nuk po krijohen dosje administrative për shkak të skadimit të afatit ligjor më dt. 01.10.2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›