E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Edhe pas 17- viteve jemi ne kufijte e skamjes

Kryesocialisti vazhdon të përcjellë mesazhin për një bashkim të ri
TIRANË- Vetëm një bashkim i ri përtej kufijve të partive politike do t'i jepte fund situatës së rëndë në të cilën gjendet sot Shqipëria. Ky është mesazhi që ka përcjellë edhe gjatë takimeve të djeshme në zonën e Dibrës dhe Bulqizës, kreu socialist Edi Rama. Dialogu për Çështjet Sociale ka vazhduar në veri dhe verilindje të vendit, në qytetin e Bulqizës dhe në Shupenzë të Dibrës. Në këtë rrugëtim drejt këtyre zonave të vendit ky dëshpërimi social është i dukshëm, kryetari Socialist Rama është shprehur për nevojën e një politike ndryshe e cila të jetë për interesat e qytetarëve. Gjatë takimit të zhvilluar në Bulqizë drejtuesit e lartë socialistë kanë dëgjuar nevojat e këtyre banorëve që jetojnë me minierën. Duke bashkëbiseduar me banorët e Bulqizës, Rama është shprehur se politika e re është një vetëdije për të bërë premtime realiste dhe të realizueshme, pasi edhe pas 17 viteve demokraci ende jetohet në kufijtë e skamjes. "Të them të drejtën këtu, në këtë realitet ashtu sikundër edhe në plot vende të tjera të Shqipërisë, është shumë e vështirë të gjesh fjalë për të komunikuar, sepse realiteti është kaq dramatik. Pamja e qytetit ku ju jetoni është kaq e rëndë. Atmosfera është kaq mbytëse, saqë e vetmja gjë, që unë mendoj kur i afrohem këtij qyteti, apo qyteteve dhe fshatrave të ngjashme me këtë, është se sa shumë respekt meritoni ju për faktin që përballoni kushte shumë të vështira dhe prapë, nuk e humbni dinjitetin tuaj", - u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit, ka ardhur koha që politika të bëjë premtimet që mbahen dhe jo të gënjejë njerëzit vetëm për qëllime elektorale. Në vijim të kësaj logjike, kryesocialisti ka theksuar se PS-ja është e gatshme që të vërë në jetë politikën e re të realizimit të atyre që premton. Takimet e kryetarit socialist nuk janë zhvilluar vetëm në sallat e përcaktuara të dialogut, por edhe spontanisht në rrugët e Bulqizës dhe të Shupenzës. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Shupenzës, Rama është shprehur se kjo gjendje varfërie ku jetojnë banorët e kësaj zone duhet të marrë fund sa më parë përmes një bashkimit të ri. Ndërkohë që gjatë takimit në Maqellarë kryesocialisti ka theksuar se rritja e numrit të vendeve të punës do të jetënjë nga rrugët për të dalë nga gjendja e vështirë ekonomike në të cilën jetojnë sot shqiptarët. "Politika e vjetër nuk na lë, që të merremi me ujin, me dritat, me punën dhe me të ardhmen e fëmijëve tanë. Kjo është politika, që nuk fitojnë as demokratët, as socialistët e thjeshtë, kjo është politika nga e cila nuk fitojnë familjet e njërës palë, as familjet e palës tjetër, as fëmijët e demokratëve dhe as fëmijët e socialistëve. Kjo është politikë nga e cila fitojnë vetëm një grusht njerëzish, që pushtetine përdorin vetëm për interesa personale, klanore, nepotike,që nuk kanë të bëjnë me interesat e atdheut dhe me interesat e familjeve shqiptare", - u shpreh Rama në Maqellarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›