Legisi: Nano nuk mund të kandidojë në Sarandë
16/01/2005 Në një takim të zhvilluar në Sarandë, anëtari i Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi, është shprehur se Fatos Nano nuk mund të kandidojë më në këtë qytet, pasi nuk i mban premtimet. "Ai mund të kandidojë në Korfuz, pasi vetëm aty ka kazino", tha Legisi. Me këtë, Legisi ka theksuar se Kryeministri shqiptar është i njohur për preferencat e tij në kazinotë dhe në lojëra të ndryshme. Ndaj ai theksoi se kreu i PS-së nuk do të marrë votat në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, gjatë vizitës në Sarandë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka theksuar se qytetarët do të mbështesin LSI-në në votimet për parlamentin e ardhshëm, pasi kjo lëvizje ofron zhvillimin dhe mundësitë më të mira për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Meta ka deklaruar se qeveritarët aktualë janë përfshirë në një korrupsion, ndaj ata janë bërë pengesë e madhe për zhvillimin e Shqipërisë. Edhe një herë kryetari i LSI-së ka premtuar se do të votojë pro ndryshimeve të emrave të korruptuar të qeverisë, por ka hedhur dyshimet nëse kreu i qeverisë dëshiron që të bëjë ndryshime tashmë të nevojshme. Drejtuesit e LSI-në kanë kritikuar dhe ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, duke u shprehur se transparenca e zgjedhjeve garantohet me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike në procesin monitorues. Ata janë shprehur se socialistët dhe demokratët kanë lidhur një marrëveshje me njëri-tjetrin vetëm për të vjedhur votat. Në lidhje me aleancat parazgjedhore në formën e zonave të lira, mësohet se kjo pikë do të vendoset me fillimin e fushatës elektorale, pasi dalja me zona të lira mes LSI dhe aleatëve të tjerë të majtë nuk është përjashtuar në mënyrë kategorike. Nga një formulë e tillë është përjashtuar bashkëpunimi mes LSI-së dhe PS-së.