Nikolas Geixh rinis provokimet në Shoqatën Omonia
16/01/2005 Kreu i lobit grek në Amerikë, Nikolas Geixh, është shfaqur sërish dje në Sarandë, ku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Shoqatës Omonia. Burimet kanë bërë të ditur se ai ka marrë pjesë në takimin e zhvilluar me rastin e 14-vjetorit të themelimit të "Omonias", ku ka rinisur provokimet mes minoriteteve dhe shqiptarëve. Takimi është zhvilluar në fshatin Dervician. Ndërsa kanë marrë pjesë dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe Kristo Goxhi. Burimet thanë se Geixh ka kërkuar që debatet e minoritarëve të zhvillohen me dyer të mbyllura për të mos qenë pjesë e mediave. Ndërsa dhe një herë ka theksuar se Shqipëria, në rast se nuk zbaton të drejtat e njeriut nuk do të hyjë në BE. Gjatë takimit, Geixh është shprehur se organizatat e minoritarëve duhet të organizohen në mënyrë që urrejtja e shqiptarëve ndaj tyre të ulet dhe se Shqipëria do te bashkohet me Greqinë, ne Be vetem kur te plotesoje te drejtat e. Ndërsa shteti grek shpesh është deklaruar pro marrëdhënieve të mira mes të dy vendeve, duke shmangur gjithnjë e më shumë çështjet si Epiri. Por duket se janë përfaqësues të lobingjeve të ndryshme që kërkojnë të ndryshojnë historinë e shkruar, ku shqiptarët kanë ndihmuar grekët në situata të ndryshme. Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i Neo Demokracisë, Manuraqis, do të mbërrijë në Tiranë në fund të janarit, ku do të zhvillojë takimet me krerët e shtetit shqiptar. Ndryshe nga Geixh, Manuraqis, do të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë së të Drejtave të Njeriut, Ligoraq Karamelo.