E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda “Benjamin Button” mbërrin në Kinema Millenium

Filmi “The Curious Case of Benjamin Button” ka marrë 3 Oskar, 21 çmime dhe 68 nominime

Historia e një plaku-fëmijë mes dashurisë, jetës dhe vdekjes. Një tregim i Francis Scott Fitzgerald, që pas 40 vjetësh në sirtaret e Hollivudit gjeti më në fund ekranin e madh me protagonist aktorin Bred Pit, shfaqet sot në kinemanë “Millenium” si premierë për publikun e Tiranës. Pasi është përfolur në mbarë botën dhe shfaqur në shumë kinema, historia e çuditshme e Benjamin Buttonit, “The Curious Case of Benjamin Button”, nuk mund të vononte ardhjen e saj në Tiranë. Siç bën të ditur zëdhënësja e Kinema Millenium-it, romanca dramatike, e mbushur me mister dhe trill, do të fillojë të shfaqet në ekranin e madh duke nisur që nga mbrëmja e sotme. Filmi në fjalë është një superprodhim hollivudian që ka kushtuar 150 milionë dollarë dhe është vlerësuar ndër më të mirët nga kritika dhe për këtë flasin vlerësimet: 68 nominime, 21 çmime dhe 3 statuja Oskar. “The Curious Case of Benjamin Button” ishte menduar fillimisht të shfaqej në kinema në maj të vitit të kaluar, por u shty nga producentët për më 26 nëntor 2008. Data e premierës lëvizi sërish për në 25 dhjetor 2008 për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 16 janar 2009 për Meksikën dhe më 5 shkurt për Anglinë. Filmi vazhdon të ketë një kalendar aktiv të premierave dhe shfaqjeve të tij. “Ai kishte lindur në rrethana të pazakonta...”, - kështu fillon "The Curious Case of Benjamin Button," filmi i përshtatur nga historia e vitit 1920 të shkruar nga F. Scott Fitzgerald që bën fjalë për një burrë, i cili lind me pamjen e një 80-vjeçari, i cili nuk mund të ndalë kohën. Ne ndjekim historinë e tij, të vendosur në Nju Orlins që nga fundi i Luftës së Parë Botërore në vitin 1918 deri në shekullin XXI, duke ndjekur udhëtimin e një burri me një jetë të paimagjinueshme.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›