E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademiku Arben Puto: “E vërteta mbi Ismail Qemalin dhe mbretin Zog do të hapë debate”

Akademiku 85-vjeçar promovon në Akademinë e Shkencave librin “Shqipëria politike 1912-1939”

Petrika GROSI
Në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë, në praninë e personaliteteve të artit, shkencës, historisë dhe kritikës, mes akademikësh e intelektualëve të fushave të ndryshme është promovuar libri “Shqipëria politike 1912-1939”, i akademikut 85-vjeçar Arben Puto. Ky është një libër me të cilin akademiku Puto synon të nxjerrë faktet e vërteta, të cilat janë fshehur dhe censuruar për shqiptarët nga regjimi komunist. Është një rikthim në punën e së kaluarës, për të cilën prof. Puto ka punuar gjatë një periudhe mbi 6-vjeçare. Botuesi i “Toena”-s, Fatmir Toçi, thotë në lidhje me këtë libër: “Shpesh dëgjojmë të hapen debate mbi nevojën e rishikimit dhe të rishkrimit të historisë sonë të deformuar nga diktatura. Tashmë kemi një vepër që vjen pikërisht si përgjigje e këtyre debateve, ku autori sjell fakte të reja dhe të panjohura më parë për publikun”. Vetë akademiku Puto është shprehur për mediat dhe të pranishmit në sallën e promovimit se mendon se do të kemi shumë shpejt debate të ndryshme në lidhje me të vërtetat që nxjerr vepra e tij më e fundit: “Nuk pretendoj që me këtë libër të kem thënë të vërtetën absolute, por pres që pas leximit të saj vepra të nxisë diskutime dhe debate”. Sipas akademikut tjetër, prof. Luan Omari, interesant në këtë botim është edhe fakti se autori Arben Puto shkruan me paanësi, duke i bashkërenditur anët pozitive dhe negative të situatave kulmore të historisë, politikës dhe diplomacisë që nga krijimi i qeverisë së parë shqiptare me Ismail Qemalin, deri në prill ‘39, me perëndimin e pushtetit të mbretit Zog. Madje, sipas akademikut Omari, prof. Puto ndoshta kësaj here ka realizuar veprën monumentale të jetës së tij. Vepra në fakt vë theksin në rëndësinë aspak dytësore të lëvizjeve të brendshme të shqiptarëve për të mbërritur në momentin e madh historik siç ishte shpallja e pavarësisë dhe konsolidimi i të parit shtet shqiptar. Sipas tij, meritat për ardhjen e një momenti të tillë historik dhe politik nuk u përkasin më tepër “Fuqive të mëdha” sesa lëvizjeve patriotike shqiptare.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›