E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO, Sejdiu përgëzon Presidentin Topi dhe Mesiç



Presidenti Fatmir Sejdiu, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, përgëzoi Presidentin shqiptar Bamir Topi, si dhe Presidentin kroat Stjepan Mesiç. Në mesazhin e urimit për Kroacinë, Sejdiu shprehu bindjen se në këtë periudhë shumë të rëndësishme për historinë moderne do të vazhdohet me angazhimin e pakursyer për ta bërë këtë shtet më të përparuar për të gjithë qytetarët. “Në etapën e re në të cilën po hyn Kroacia, për arritjen e së cilës kontributi Juaj ka qenë i veçantë, Ju mund të llogarisni përkrahjen e plotë të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës. Sfidat dhe synimet tona janë të përbashkëta, prandaj paqja, bashkëpunimi reciprok dhe integrimi sa më i shpejtë i rajonit tonë në strukturat euroatlantike do ta bëjnë përfundimisht të jetësuar ëndrrën e kësaj pjese të Europës Juglindore për liri dhe stabilitet”, - thuhej në mesazhin e urimit. Në mesazhin e urimit dërguar Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, Presidenti Sejdiu shpreh kënaqësinë e jashtëzakonshme për t’i uruar atij dhe të gjithë popullit shqiptar anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO. “Ky akt madhor dhe i shumëpritur e shndërron përfundimisht rajonin tonë në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit të përgjithshëm të kësaj pjese të Europës Juglindore, popujt e së cilës tashmë janë përcaktuar fuqishëm për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira e demokratike euroatlantike”, - thuhet në mesazhin e përgëzimit.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›