Dosja “AEY”, i paqartë fati i hetimeve për fishekët
Ngjarja që u mori jetën 26 personave dhe la të plagosur në shkallë të ndryshme rreth 300 të tjerë ndodhi më 15 mars 2008 dhe në të u shënuan edhe dëme materiale me vlerë rreth 20 milionë euro. Sakaq duket se për çështjen e trafikut të fishekëve me firmën amerikane “AEY” nuk ka ende një rezultat të qartë, sidomos kur në kushtet e tanishme nuk kanë ardhur ende letër-porositë e dërguara në Qipro, Zvicër dhe Bosnjë. Pas vdekjes së dëshmitarit kryesor të kësaj çështjeje, Kosta Trebicka, edhe dëshmia e tij merr një status më pak të interpretueshëm, ndërsa për këtë dëshmi të Trebickës prokurorët kanë thënë se “nuk ka ndonjë specifikim më të veçantë sesa detajet që Trebicka ka dhënë për mediat”. Një tjetër problem i dosjes së trafikut të fishekëve është dhe fakti se disa personazhe të spikatur në këtë aktivitet kanë injoruar thirrjet e Prokurorisë, një pjesë e këtyre personazheve mendohet se kanë lidhje të ngushta familjare me zyrtarë të lartë të vendit. Dosja e trafikimit të fishekëve është një histori e shkëputur nga ajo e Gërdecit, e vetmja lidhje me Gërdecin është Dritan Minxolli, kunati i biznesmenit Delijorgji, firma e të cilit bëri paketimin e fishekëve në Rinas pasi “u hoq nga loja” biznesmeni Trebicka. Prokuroria e Përgjithshme firmosi pak kohë më parë mbylljen e hetimeve për tre të akuzuarit kryesorë si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec. Në ambientet e Burgut 313 në Tiranë prokurorët kanë komunikuar aktet hetimore, kanë firmosur mbylljen e hetimeve për ish-drejtorin e kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratorin e kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin Teknik të Fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli. Ndërsa janë marrë të pandehur në muajin shkurt: ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka dhënë pesë ditë më parë masën e sigurisë arrest me burg për Sokol Gjeçin, ish-punonjës i MEICO-s. Ai është person i katërt i cili së bashku me Mihal Delijorgjin, Dritan Minxhollin dhe Ylli Pinarin ndodhen të arrestuar si përgjegjës të tragjedisë së 15 marsit 2008. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve "Albademil" në Gërdec të Vorës gjetën vdekjen 26 persona, mbi 300 u plagosën dhe u shkatërruan mijëra banesa dhe ndërtesa të tjera funksionale.
3 Prill 2009