E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indonezia do ta njohë Kosovën së shpejti



Indonezia pritet ta njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës. Mediat kosovare citojnë Presidentin Susilo Bambang Yudojono që gjatë një ligjërate në “London’s School of Economics” të ketë thënë: “Është e mundur ta njohim pavarësinë e Kosovës shumë shpejt”.
“Çështjen e Kosovës, ne e shohim nga dy këndvështrime: njëri është respektimi i integritetit territorial të vendeve të OKB-së dhe tjetra e drejta e kosovarëve për pavarësi si pjesë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, - ka thënë presidenti i Indonezisë. Një nga vendet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës është edhe Sllovakia, e cila sërish ka përsëritur se nuk do të ndryshojë qëndrim për Kosovën. Presidenti sllovak, Ivan Gashparoviç, tha dje gjatë takimit me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, se Sllovakia nuk do ta njohë Kosovën. Megjithatë mësohet se Gashparoviç është i interesuar për zhvillimet më të fundit në Kosovë, në veçanti për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa Jeremiç ka tërhequr vërejtjen se shpallja e pavarësisë së Kosovës i ka përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet dy popujve.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›