Ndërmjetësja “Evdin ltd”, Prokuroria nuk ka të dhëna për boshnjakun që firmosi kontratat
Prokuroria e Përgjithshme nuk ka siguruar asnjë të dhënë mbi Adnan Sarajliçin, personin që ka ardhur në Tiranë dhe ka firmosur kontratat me MEICO-n për llogari të firmës “Evdin ltd”, e cila rezulton në pronësi të biznesmenit zviceran të armëve Patrik Henri. Gazeta boshnjake “DANI” disa muaj më parë zbardhi identitetin dhe disa të dhëna interesante për zotin Sarajliç, megjithatë ende Prokuroria shqiptare nuk ka një profil të qartë dhe zyrtar të tij. Sarajliç është njeriu që korrespondon me të dhënat zyrtare (e-mail, numër telefoni) të firmës ”Evdin ltd” dhe është përshkruar nga revista boshnjake si ”dora e fortë” në Ballkan e trafikantit ndërkombëtar Henri Tomei. Revista ”DANI”, në një artikull të disa muajve më parë, ka mundur të zbulojë detaje me vlerë lidhur me njeriun që menaxhonte firmën fantazmë, që e ktheu Shqipërinë në epiqendrën e skandalit ndërkombëtar të armëve. Gazetari boshnjak E. Hecimoviç ka mundur të kontaktojë menaxherin e firmës “Evdin ltd” Adnan Sarajliç, ndërsa bashkëpunëtorë të vjetër të Sarajliçit në Bosnjë dhe autoritetet e inteligjencës së këtij vendi kanë ofruar të dhëna të tjera lidhur me të kaluarën dhe rolin e Sarajliçit në skandalin që përfshiu dhe Shqipërinë. Pasi është kontaktuar nga gazetari, menaxheri i ”Evdin ltd”, Sarajliç, ka kërcënuar se keqinterpretimet në media dhe artikujt kundër tij dhe firmës ”Evdin ltd” do ta detyronin atë të hapte gjyq ndërkombëtar ndaj mediave që e kanë përmendur. ”Nuk dua të flas me telefon. Pyetjet duhet të m’i dërgoni me e-mail, por nuk mund t’ju përgjigjem para ditës së mërkurë apo të enjte. Këshilla ime është që ju të mos shkruani asnjë germë se do të ketë një gjyq të madh ndërkombëtar për të gjitha mediat që njollosën dhe dëmtuan kompaninë tonë”, -është përgjigjur Sarajliç. Më tej, i pyetur në telefon lidhur me faktin se cili ishte Henri që rezultonte si pronar i kësaj shoqërie, Sarajliç ka mbyllur çdo shteg, duke e kthyer në tabu përmendjen e faktit se pronar rezultonte trafikanti ndërkombëtar Henri Tomei. ”Jo, jo, jo. Unë nuk i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk i përgjigjem. Absolutisht jo”, - ka deklaruar Sarajliç.
3 Prill 2009