“Shtëpia me rrota” vjen sot në Teatrin “Skampa”
“Shtëpia me rrota” është premiera që do të ngjitet sot në Teatrin “Skampa” të Elbasanit me regji të Erand Sojlit. Aromë Rusie e viteve. Mallkime, sirena alarmi, kukuvajka që paralajmërojnë fatkeqësi, zhurma trenash dhe sirena vaporësh që shkojnë dhe vijnë. Prej dy muajsh këto janë efektet që dëgjohen në skenën e Teatrit “Skampa” të Elbasanit, ku trupa e aktorëve profesionistë është përgatitur për shfaqjen e veprës “Shtëpia me rrota”, me autor-regjisor Erand Sojlin, dhe nën interpretimin e aktorëve: Veronika Papa, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi, Rina Narazani, Xhemal Sojli, Hilmi Belshaku, Rezart Veleshnja, Roland Saro. Lojë në presion dhe atmosfere Çehovjane. Njerëz që vegjetojnë dhe fshihen pas gishtit. Personazhe që mendojnë ndryshe dhe veprojnë krejt ndryshe. Një batutë shumë e çuditshme, e çon diku larg spektatorin. …“Dje isha në Mosk딅 Kjo është dhe si pikë referimi në një kthim në të shkuarën… “Shtëpia me rrota” është një pjesë që është shkruar 10 vjet me parë dhe është vlerësuar nga kritika dramaturgjike (Josif Papagjoni) për idenë e veçantë që përçon dhe gjetjen e saj origjinale. Vepra nuk identifikon një kohë të caktuar, një vend të caktuar, apo personazhe të caktuara. Autor-regjisori Erand Sojli, i ka përcaktuar qartë këto personazhe duke i emërtuar me emrat e lumenjve që përshkojnë lindjen. Historia është e njëjtë. Një familje e persekutuar e cila më parë ka qenë pjesë e elitës. Ka kontribuar fuqishëm në vendosjen e sistemit të barazisë, i cili rezultoi të ishte utopi. Kjo familje nuk është një familje si gjithë të tjerat. Ajo ka në themel të saj zhgënjimin, frikën dhe ndarjen e thellë . Personazhet kanë vetëm një drejtim. Të shpëtojnë, ose më keq akoma, mos t’u shtohet dënimi në këtë internim. Ata vijnë nga një jetë bllokmenësh dhe janë katandisur në një barakë. Janë të terrorizuar nga finesa dhe edukata e persekutorëve të tyre. Ata asnjëherë nuk e dinë çdo të sjellë e nesërmja. Dhe si rrjedhojë e këtij veprimi është logjike që në kushtet e represionit njerëzit binden dhe bindja kthehet në mënyrë jetese.
“Portreti i një populli” në Muzeun Kombëtar
Një muze modest etnografik i veriut shqiptar me foto të Pjetër Marubit dhe nxënësit të tij, Kole Idromeno është hapur në Muzeun Kombëtar. Ekspozita e hapur deri me 9 maj në MHK, prezanton peizazhe të Shkodrës, Zadrimës, Dukagjinit, jetën sociale të fshatit dhe qytetit, përkatësinë fetare dhe Luftën për Pavarësi. Portrete burrash dhe grash shkodrane, zadrimore, dukagjinase, peizazhe të jetës qytetare dhe fshatare të veriut të Shqipërisë, fotografi nga shpallja e pavarësisë, të realizuara nga Pjetër Marubi dhe Kole Idromeno nga viti 1888 deri më 1913. Ekspozita "Portreti i një populli”, prezanton 26 fotografi të Idromenos dhe Marubit. Fotografitë e Marubit, i pari që solli artin e fotografisë në Shqipëri, dhe nxënësi i tij Idromeno, janë marrë nga arkivi i Institutit të Kulturës Popullore Tiranë. Janë pjesë e projektit "Bujaria e Shqiponjave" të programit "Interreg III", që mori përsipër restaurimin dhe stampimin të Fototekës "Marubi". Restaurimi i fotografive dhe shtypja janë kuruar nga fotografi Gino Bleve. Ekspozita është e ndarë në tri seksione: "Grupe dhe Familje", "Gratë" dhe "Burrat".
Nis audicioni “Shqipëria është kulturë”
Audicioni i evenimentit “Shqipëria është kulturë” ka vijuar me promovimin e talenteve të reja në të gjitha zhanret artistike në sallën Cehov të Teatrit të Metropolit me nxënësit e shkollave të rrethit të Tiranës dhe Kurbinit. Juria me përfaqësues poetin e këngëve Agim Doçi si dhe rektori i Universitetit Europian të Turizmit Salvatore Mesina shprehin pjesëmarrjen e lartë të të rinjve edhe nga trojet. Të rinj nga mbarë Shqipëria po garojnë në muzikë, pikturë, kërcim apo aktrim për të konkurruar nga datat 6-9 Maj në parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe për të fituar Çmimin e Madh si dhe për tu bërë pjesë e një turneu në disa kryeqytete të Evropës me destinacion Brukselin në javën e kulturës evropiane. Fituesit kryesor në mënyrë simbolike do të emërtohen “Ambasadorët e Kulturës Bashkëkohore Shqiptare”.
28 Prill 2010