E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pakti ujor", drafti i PS mbërrin në Kushtetuese

Gjashtë parti opozitare dorëzuan dje në Gjykatën Kushtetuese kërkesën ankimore për marrëveshjen e ndarjes së ujërave territoriale Shqipëri-Greqi. Në këtë tekst i kërkohet Gjykatës Kushtetuese shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Deputeti socialist, Saimir Tahiri, i cili dorëzoi kërkesën e gjashtë partive ne sekretarinë e kësaj gjykate tha se është një marrëveshje e cila i ka munguar transparenca në fazën e negocimit dhe në fazën e nënshkrimit. "Është një marrëveshje gjerësisht e kontestuar publikisht nga zërat më të rëndësishëm të opinionit publik të ekspertëve të pavarur, ndaj si e tillë është një marrëveshje që ngre të gjitha dyshimet e arsyeshme për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e pajtueshmërisë së saj, pra është kushtetuese kjo marrëveshje apo jo", tha Tahiri. Ai tha se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos të nisë procesin e shqyrtimit kushtetues për këtë marrëveshje, shqyrtimi parlamentar ndërpritet automatikisht. Hartuesit e kërkesës ankimore kanë përmendur të gjitha faktet dhe të dhënat që janë deklaruar në shtyp, nga ekspertë, debatet publike etj. Sa i përket bazës ligjore, partitë janë mbështetur tek neni 131, germa b dhe neni 134, pika 1, germa f, të Kushtetutës, neni 52 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë".

A.Th.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›