E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjionaret ne Europe

Ai ishte dhe mbetet një makinë golash. Pavarësisht nëse trajneri e pëlqen apo nuk e përfill shumë, pak rëndësi ka nëse e nis ndeshjen në fushë apo nga stoli. Për Hamdi Salihin, goli është një instinkt i brendshëm, një mënyrë sesi e jeton karrierën si futbollist. Bëma e tij më e fundit është ajo e shënimit të 5 golave ditën e shtunë, në një fitore vërtet të lehtë 7-0 jashtë fushe ndaj amatorëve të LASK-ut në Kupën e Austrisë. Pas golit të shënuar në ndeshjen e parë të kampionatit, në një fitore 2-0 ndaj Admirës, sulmuesi shkodran bën edhe një herë detyrën, ndërsa Rapidi besohet se këtë sezon mund të jetë më shumë pretendent se në të kaluarën.

Ndërsa një shkodran shënon në Austri, një tjetër shpreson shumë të ngjitet madje një shkallë më lart. Armando Vajushi e ka kaluar me sukses provën në Këln, në lartësinë e Bundesligës, ndërsa pritet akordi i gjermanëve me presidentin e Vllaznisë së Shkodrës, Valter Fushaj. Diferenca është 50 000 euro, 150 jep klubi gjerman, 200 000 kërkon bosi kuqeblu. Ndërkaq, nuk kanë ngurruar media gjermane që e kanë krahasuar sakaq Armandon me Maradonën.

Së fundi, një vlonjat. Ky është Arbër Abilaliaj, i cili gjëmon që nga Kroacia. Një gol i sulmuesit në minutën e fundit bëri që skuadra e tij, Inter i Zapreshiqit, tyë fitonte 1-0 në fushën e Cibaljes në kampionatin kroat, një fitore historike, e para në atë stadium. Një frymëmarrje për skuadrën e trajnerit Lonçareviç, dikur drejtues i Tiranës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›