E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paris SG e nis me humbje kampionatin francez

Paraja natyrisht që është një përbërës i madh i suksesit, por jo i vetmi dhe aq më pak nuk mund të zhdukë rëndësinë e faktorit kohë. Këtë e tregoi edhe një herë humbja e Paris SG në ndeshjen e parë të tij në kampionatin francez, disfatë që iu shkaktua nga Lorient me rezultatin 1-0, madje brenda në kryeqytetin e Francës.

Blerja e re, Havier Pastore, i marrë për 43 milionë euro nga Palermo, e nisi karrierën e tij të re, duke qenë i ulur në tribunën e stadiumit “Park dë Prens”.

Jo vetëm 65 milionë eurot e shpenzuara nga pronarët e rinj nga Gjiri Persik nuk dhanë rezultat, por edhe Lorient ishte gjatë gjithë kohës skuadra më e mirë në fushë, të paktën më efektive. Miqtë krijuan mundësi shënimi dhe avantazhi i tyre nuk shkaktoi asnjë habi në publikun dhjetëra mijësh parizien.

Lorientit nuk iu desh shumë për të kaluar në epërsi dhe këtë e bëri me anë të Zhylien Kuersias në minutën e 28-të, pas goditjes së dënimit të ekzekutuar nga Jan Zhufre. Menaxheri i ri i klubit të Parisit, Leonardo, nuk kishte ç’bënte tjetër veçse të ndiqte shfaqjen e të ftuarve që i prishën festën e debutimit.

Për më tepër, Arnold Mvuemba thuajse shënoi golin e dytë të vizitorëve kur kishin mbetur 20 minuta deri në fund të ndeshjes, por gjuajtja e tij u përplas në tra.

Paris SG provoi më në fund, që nga minuta e 80-të për të shënuar dhe rasti më i mirë ishte ai i sulmuesit Nene, por gjuajtja e tij u devijua në mënyrë akrobatike mbi tra nga portieri Fabien Odar. Një fitore e merituar për Lorientin dhe një humbje që ka shumë filozofi brenda për Paris SG.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›