E Diel, 1 Nëntor 2026

“Legjislaturën e shkuar Shqipëria në NATO, këtë legjislaturë në BE”

Nis punën Kuvendi i ri, deputeti më i vjetër Fatos Beja hap seancën e parë

TIRANE – Nisi dje nga puna Kuvendi i ri i Shqipërisë, duke u çelur në mënyrë simbolike nga deputeti më i vjetër në sallë, Fatos Beja, i cili pasi iu ka uruar suksese në mandatin katër vjeçar deputetëve ka ndjekur menjëherë procedurat, duke ngritur Komisionin e Mandateve dhe më pas Sekretariatin e Kuvendit. Beja lexoi një për një emrat e 140 deputetëve të rinj të legjislaturës së XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Beja vlerësoi zgjedhjet e 28 qershorit si më demokratiket e realizuara ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë që nga krijimi j saj.
“E them këtë se përtej interesave të grupit e spektrit politik që përfaqëson secili nga ne, si përfaqësues të popullit, ne kemi të gjithë detyrimin si ligjbërës t’u shërbejmë me devotshmëri interesave të Atdheut tonë, integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropën e Bashkuar. Nëse legjislatura e 18 do të ngelet në historinë e vendit si legjislatura e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, unë uroj që kjo legjislaturë të jetë ajo e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo aspiratë e të gjithë shqiptarëve, e mbështetur  fatmirësisht nga të gjithë grupet politikë, kërkon mbështetjen në çdo hap të të gjithë ligjvënësve,  në ditët, muajt e vitet që vijnë. Fjala dhe vota janë kryefjala dhe kallzuesi i veprimit parlamentar. Unë uroj të dalim të gjithë faqebardhë në detyrat që na takojnë si deputetë”, u shpreh në fjalën e tij hapëse deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja.
E gjithë seanca ka zgjatur vetëm 15 minuta.
Në sekretariatin e Kuvendit u caktuan deputetët Gerti Bogdani, Pavlina Hoti dhe Ledina Aliolli. Gjithashtu u ngrit edhe Komisioni i Përkohshëm i Verifikimit të Mandateve që përbëhet vetëm nga 5 deputetë të PD, nga 9 që e përmban rregullorja, pasi deputetët e PS-së mungonin në sallë.
Kryetari i përkohshëm i Kuvendit ka njoftuar se seanca e radhës e Kuvendit të Shqipërisë mblidhet sot në orën 17.00, kur do të bëhet edhe betimi i deputetëve. Në ceremoninë e nisjes së punimeve të Kuvendit të ri ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përfaqësues të trupit diplomatik, etj.
Ndërkaq, këtij parlamenti të konstituuar, në mënyrë të turpshme i mungoi opozita, që siç edhe kishte paralajmëruar nuk mori pjesë në seancën e parë plenare, pas marrëdhënieve të kushtëzuara që Edi Rama vendosi me parlamentin.

Zëvendëspresidenti i PE-së, Pittella përshëndet koalicionin PD-LSI

“Mbështesim programin e qeverisë së re për integrimin e Shqipërisë”

TIRANE - Zëvëndëspresidenti i Parlamentit Evropian, Gianni Pittella ka përshëndetur të hënën, hyrjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicionin qeverisës.
Në një mesazh dërguar kreut të LSI-së Ilir Meta, Pittella shprehej se, “mbështet programin e Ilir Metës dhe të LSI për integrimin e Shqipërisë dhe për realizimin e reformave që do ta çojnë Shqipërinë drejt realizimit të procesit të integrimit ne Evropë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›