E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi i nxënësve në klasat e para, prinderit ne ankth

Mbipopullimi i klasave eshte problemi qe ka c'orientuar prinderit e femijeve 6-7 vjecare qe kete vit hyjne ne klasen e pare. Prinderit detyrohen te regjistrojne femijet ne shkollat larg banesave 

TIRANE-Mbipopullimi i nxënësve nëpër shkolla është vënë re edhe në problemet që kanë hasur prindërit në regjistrimet e fëmijëve të tyre në klasë të parë. “Kam dy ditë që merrem me regjistrimin e djalit në klasën e parë dhe ende nuk kam gjetur zgjidhje. Kam dorëzuar dokumentet në shkollën 9-vjeçare “Ali Demi”, duke qenë se aty jam dhe banor i zonës, ndaj në këtë shkollë më takon edhe ligjërisht. Por drejtoresha nuk ka pranuar, më tha që duhet ta regjistrosh tek shkolla “1 Maji”, jo këtu. Por ky është absurditet, sepse unë dhe vajzën që e kam në klasë të katërt e kam të regjistruar në këtë shkollë, nuk kam arsye përse t’i ndaj fëmijët”, - tregon një prind. Për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë duhet të dorëzohet një certifikatë me fotografi, një mjeko-ligjore, ku thuhet se janë kryer vaksinat; vërtetim që nuk ke detyrime nga kopshti, si dhe një vërtetim banor lagjeje. Por edhe pse prindërit i kanë pasur këto dokumente, sërish kanë hasur në probleme për regjistrimin e fëmijëve të tyre. “Nuk na regjistron ne që na takon, sepse regjistrojnë të tjerë kundrejt pagesave”, - tregojnë prindërit për “Gazetën Shqiptare“.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›