“Parlamenti, forumi kryesor i debatit politik”
Bojkoti i socialistëve, reagon edhe OSBE
TIRANE – Vetëm pak minuat pas çeljes së seancës së parë plenare të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosh, është shprehur kundër bojkotit të socialistëve. “Siç e dini në të gjitha vendet demokratike, forumi kryesor për debat midis partive politike, është Parlamenti i vendit. Në kuadrin e axhendës integruese në Bashkimin Evropian, ajo vlen edhe për Shqipërinë. Mesazhi im është i qartë”. Ambasadori Robert Bosh bëri të ditur këtë qëndrim që shkon hapur kundër linjës për një opozitë në rrugë. Për Bosh debatet politike bëhen në Kuvend nisur dhe nga logjika që tejkalon qëndrimet personale të partive, që ka të bëjë me integrimin evropian të vendit.
OSBE është një nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që PS ka thirrur për ta asistuar në procesin e verifikimit të parregullsive me zgjedhjet. Por deklarata e Ambasadorit Bosh, deklaratë që në thelb rrëzon vendimin më të rëndësishëm të Partisë Socialiste bojkotin e Kuvendit, duket se e vështirëson mundësitë e bashkëpunimit.
Ambasadori Bosh nuk është i vetëm përfaqësues i institucioneve ndërkombëtare që nuk mbështet vendimin politik të kryetarit të PS.
Pak ditë më parë ishte Oli Rehn komisioneri për zgjerimin që zbehu gjithë deklarimet e Ramës për manipulim të procesit zgjedhor kur tha se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat në historinë pluraliste të Shqipërisë.