E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhjet ishin të rregullta, opozita të vijë në parlament”

Shefi i ekzekutivit vlerëson zgjedhjet, i bën thirrje opozitës që të shmangë bojkotet

TIRANE – Kryeministri Sali Berisha bëri edhe një rivlerësim publik të procesit zgjedhor. Kjo, nisur edhe nga akuzat e Partisë Socialiste, të cilët më së fundi vendosën edhe bojkotin e punimeve të kuvendit. Berisha tha se në 28 qershor u zhvilluan zgjedhjet më të mira në historinë e vendit. Si argument për të mbështetur këtë arsyetim, kryeministri kujtoi mungesën e problemeve me listat e zgjedhësve, garantimin e transparencës në numërimin e votave numrin e vogël të ankimimeve gjithsej 18, e mbi të gjitha sistemin zgjedhor për të cilin vendosi opozita.
“Ky parlament nis punën pas një procesi zgjedhor, i cili në sytë dhe mendjen e çdo shqiptari ka qenë më i miri në historinë e këtij vendi. Ky proces ka qenë më i miri, sepse në këto zgjedhje nuk pati as edhe një problem të vetëm me listat e zgjedhësve, problem kryesor ky në zgjedhjet pararendëse. Në këtë proces nuk pati as edhe një problem të vetëm me identitetin e zgjedhësve”, u shpreh kryeministri.
Kundërshtitë e kryetarit të Partisë Socialiste kryeministri i cilësoi të pabaza, referuar edhe vendimeve që dhanë KQZ apo Kolegji Zgjedhor.
“Edi Rama numëroi dhe rinumëroi Beratin dhe gjeti aty zero argument dhe provë për t’ua paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo Gjykatës. Edhe ne numëruam në një pjesë, por gjetëm zero argumente për t‘ia paraqitur ndokujt. Kjo është në të mirën e madhe të atyre që menaxhuan këtë proces. Ankesat paszgjedhore ishin më të pakta, 18 gjithsej. Dhe, ajo që nderon mandatet tuaja sot është se secili prej jush ka marrë një mandat të votuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 7 me 0”, theksoi kryeministri.
Gjatë fjalës se tij, Berisha i ripërsëriti ftesën opozitës të vijë në Kuvend duke e garantuar paralelisht për bashkëpunim.
“Unë e garantoj opozitën se do të bashkëpunojmë me frymë të hapur, konstruktive, se zëri i saj do të dëgjohet dhe se, së bashku me mazhorancën, ajo do të jetë bashkë autore e reformave të mëdha që do të çojnë Shqipërinë me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›