Rama nuk heq dorë nga bojkoti, e kthen PS-në në parti rrugësh

Edvini nuk guxon të lexojë drejt asnjë nga raportet e vëzhguesve vendas dhe të huaj për zgjedhjet e 28 qershorit, por vazhdon llomotitjen e radhës, duke e nxjerrë përfundimisht PS-në në parti rrugësh dhe në kushtet e shpërbërjes së plotë. Dje, me rastin e çeljen së legjislaturës së re parlamentare, Edvini bëri karshillëkun e radhës, në formë tallje me shqiptarët, ndërsa në orët e pasdites sodiste nga mejhanet e Pezës atë që gatoi në kuvend, duke eliminuar pjesëmarrjen e opozitës në të.
TIRANE – Edi Rama doli përsëri dje në media, pak orë para startimit të seancës së parë plenare për legjislaturën e re parlamentare, për të treguar edhe njëherë se nuk kushtëzohet nga faktori kohë, por mbetet njeriu i rrugëve, duke mos hequr dorë nga bojkoti institucional.
Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, i cili e ka kthyer partinë që drejton në çerdhe strehimi për interesat e tij personale, shënoi një tjetër skandal në përpjekjet e tij, për t’u pjekur politikisht, por që realisht thjesht është degraduar.
Kësisoj, në kushtet kur vendi ka më tepër nevojë për bashkëpunim të gjerë dhe më shumë se institucional, kryetari në detyrë, Edi Rama, vazhdon të faktohet si armik i shqiptarëve, armik i integrimit të tyre, armik i lëvizjes së lirë dhe armiku më i madh i zhvillimit dhe progresit ekonomik të Shqipërisë.
Të gjitha këto mendësi të Edvinit, rrjedhin nga një shkak i vetëm, shkaku i interesit të tij personal, për të gllabëruar çdo hapësirë që nuk shkon kah pëlqimi i tij pervers. Edhe bojkoti parlamentar ka një shkak shumë të madh për të, jo se po vazhdon të ankohet për parregullsi të zgjedhjeve, pasi është koshient për vërtetësinë e atij procesi, i vlerësuar nga forumet vëzhguese vendase dhe të huaja, si më demokratiku i zhvilluar ndonjëherë, por problemin e ka tek partia, të cilën nuk kërkon ta lëshojë edhe pse humbi zgjedhjet.
Ndaj edhe, Edvini, për shmangur vëmendjen e opinionit publik rreth zhvillimeve të opozitës, pas humbjes së zgjedhjeve dhe përgjegjësitë që duhet të mbajë kryetari i saj në detyrë, po përdor si alibi bojkotin e parlamentit, për të eliminuar grupet armiqësore në parti dhe shpërbërjen përfundimtare të Partisë Socialiste. Synimi i tij i vetëm, mbi ato kombëtare, është qëndrimi me çdo kush në krye të Partisë Socialiste dhe likuidimin e zërave ndryshe në të, që kërkojnë largimin e tij pa kushte nga PS.
Ai citoi dje, rresht pas rreshti kërkesat e Partisë Socialiste, për pjesëmarrjen në kuvend.
Me 7 kushte të paargumentuara dhe që bien ndesh me të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e ndërkombëtare, për zgjedhjet në Shqipëri, Edvini bën “qorrin” dhe kërkon të hedhë si shashkë tek shqiptarët, manipulimin e radhës, atë masakrës elektorale sipas tij. Ai e di shumë mirë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, madje pranon edhe rezultatin humbës për të. Por, ajo që ai s’mund të pranojë, është largimi nga partia. Largimin e shumë diskutuar nga zërat ndryshe në këtë parti, por që me metoda dhe forma nga më të vjetrat të sistemit komunist, Edvini arriti t’i asgjësojë dhe të ngelet i vetëm në garën për kreun e PS-së.
Edhe njëherë dje, Edvini paralajmëroi se pa zgjidhur punët e partisë, nuk mund të marrë pjesë në kuvend. Kushtet e vëna nga ai, janë pjesë e një farse të turpshme, për të mbuluar krizën e lidershipit dhe paaftësinë politike.
Megjithatë, gjithkush e ka kuptuar tashmë, se me bojkotet parlamentare, Edvini kërkon ta kthejë Shqipërinë disa vite pas. Për këtë nuk ka dyshime më, përderisa interesat e tij personale, janë mbi ato kombëtare, ndaj edhe kryetari në detyrë nuk është gjë tjetër, veçse turpi i shqiptarë, turpi i votës së tyre që i besuan 65 deputetë në kuvend, por që në asnjë cep të sallës legjislative nuk po duken.