E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: Përgjigjja e aplikimit në BE brenda verës

 

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, tha dje se Bashkimi Evropian duhet të shprehet për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat brenda verës së këtij viti. “E presim me kënaqësi kërkesën e Islandës për të hyrë në BE, por duhet të sigurojmë Shqipërinë që brenda verës do të aprovohet kërkesa e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar kreu i diplomacisë italiane. Ai ka kërkuar mbledhjen e një samiti me krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit për të vendosur lidhur me hyrjen në BE të vendeve ballkanike. “Dhjetë vjet nga fundi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ka ardhur momenti që këto qeveri të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Propozoj një konferencë mes të gjitha vendeve të rajonit për të favorizuar procesin e anëtarësimit në BE të vendeve si Serbia, Mali i Zi, Bosnja apo Shqipëria”, është shprehur Fratini. Me këtë iniciativë, është shprehur ministri i Jashtëm i Italisë, duam të japim një sinjal politik të nivelit të lartë, dhe Bashkimi Evropian duhet të thotë nëse dëshiron apo jo Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit. Ai i bëri thirrje Brukselit që të mos fshihen pas formaliteteve, por duhet t’u përcaktohet koha e saktë vendeve të Ballkanit për të qenë pjesë e integruar e BE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›