E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji rrëzon PS-në për Beratin

 

ADI SHKEMBI

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e Partisë Socialiste për rinumërim dhe rivlerësim të votave në 3 KZAZ në qarkun e Beratit. Pas rreth tri orë debatesh në mbledhjen e dytë të kësaj natyre në Gjykatën e Apelit në Tiranë, pesë anëtarët e trupit gjykues kanë hedhur poshtë provat e paraqitura nga PS-ja si të pabazuara në ligj. Në këtë mënyrë mandatet në këtë qark me tetë deputetë do të qëndrojnë të pandryshuar, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku koalicioni i PD-së ka fituar tre mandate, koalicioni i PS-së katër dhe koalicioni i LSI-së një mandat.
Debatet
Pas mbledhjes së parë të ditës së martë, gjyqtarja Dhurata Haveri drejtoi sërish dje trupin gjykues për kërkesën e PS-së për rinumërim dhe rivlerësim të votave të Beratit në tre KZAZ. Në fillim të seancës, përfaqësuesi i PS-së, Arjan Salati, parashtroi kontestimet e kësaj force politike, teksa iu referua mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk kishte marrë parasysh një kërkesë të dy anëtarëve të tij, për rinumërim dhe rivlerësim të votave. “Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u paraqit një kërkesë nga dy anëtarë për rinumërim dhe rivlerësim të votave. KQZ-ja nuk iu bind detyrimit ligjor dhe e përfundoi hetimin administrativ duke e miratuar tabelën përfundimtare me katër vota pro dhe dy kundër. Kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së është një kërkesë e pakushtëzuar. Sipas Kodit, KQZ-ja është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe rivlerësimin kur e kërkojnë dy anëtarët”, tha Salati. Nga ana tjetër përfaqësuesja e KQZ-së në këtë seancë, Dëshira Pasko, argumentoi si të bazuar në ligj kërkesën e këtij institucioni për të mos pranuar propozimin e dy anëtarëve për rinumërim dhe rivlerësim të votave. Sipas saj, PS dhe G99 kërkojnë rinumërim dhe rivlerësim në 115 qendra votimi, ndërkohë që në tabelat e rezultateve nuk pasqyrohen vërejtje nga vëzhguesit dhe komisionerët. Në të njëjtën kohë edhe përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, theksoi se në të gjitha tabelat ku nuk pranohet rezultati janë pa shënime në pjesën e kontestimeve. “Mosbërja e kontestimeve do të thotë që procesi ka ecur rregullisht. Kërkesa e PS-së dhe G99 që pretendojnë se KQZ-ja nuk ka zbatuar ligjin kur është kërkuar rinumërim nga dy anëtarë, është abuzive dhe çon në prishje të procesit në këtë zonë. Jemi para një procesi të rregullt, këtë e provojnë materialet zgjedhore. Materialet janë firmosur për të tre KZAZ-të pa kontestime. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës së PS-së dhe G99 si të pabazuar në ligj dhe prova”, tha Kaso. Sipas tij, në mbledhjen e KQZ-së ishte vetëm nënkryetarja Dëshira Subashi, që kërkoi rinumërim dhe rivlerësim votash, ndërkohë që anëtari tjetër, Artan Lazaj, nuk u prononcua asnjëherë gjatë mbledhjes.
Vendimi
Në përfundim të tre orë debatesh mes përfaqësuesve të forcave politike, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin. Rreth orës 15:30 minuta, anëtarët e Kolegjit dolën para përfaqësuesve të partive politike, ku hodhën poshtë kërkesën e PS-së si të pabazuar në ligj. “Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit bazuar në nenin 158/3 e Kodit Zgjedhor vendosi: rrëzimin e plotë të kërkesëpadisë së palëve paditëse, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe partia G99, i paditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Tiranë, si të pabazuar në ligj. Ky vendim është i formës së prerë”, thuhet në vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›