E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti bosh, anulohen tenderët

 

Qeveria ka pranuar zyrtarisht, prekjen e thellë të financave të veta nga kriza ekonomike. Buxheti i shtetit ka më pak para se sa planet e investimeve. Gazeta zbardh sot vendimin e parë të krizës ekonomike, i cili mbyll rubinetën e investimeve në të gjithë vendin. Ndryshe nga vitet e tjera, kur korriku ka qenë muaji i miratimit të buxheteve suplementare, duket se në shtator, parlamenti do të marrë vendimin për ndryshimin në tkurrje të buxhetit. Zyrtarisht, qeveria ka ndaluar të gjithë investimet publike që do të duhet të kryheshin nga muaji gusht deri në fund të vitit. E thënë ndryshe, punët publike frenohen, dhe arsyeja është e thjeshtë: Në buxhet nuk ka më para.
Vendimi
Në mbledhjen e djeshme, qeveria vendosi të ndalojë procedurat e prokurimit për fondet e investimeve të parashikuara në buxhetin e vitit 2009, që nga data 3 gusht 2009. Të gjitha ministritë, të cilat kishin parashikuar zhvillimin e tenderëve, pas kësaj date duhet t’i anulojnë ato. Pas datës 3 gusht, nuk do të ketë asnjë investim të ri të qeverisë. Do të vazhdojnë të lëvrohen fonde nga thesari, vetëm për investime që tani kanë filluar apo për tenderë, të cilat janë në proces zhvillimi, pra janë shpallur nga Agjencia e Prokurimit Publik. Edhe pse titulli i vendimit është “Për një përdorim me efektivitet të fondeve për investime”, nenet e këtij vendimi flasin hapur për një krizë të fortë në financat publike. Kjo pranohet edhe nga vetë relacioni i financave, sipas të cilit, kriza jo vetëm është evidente, por në rastin më të mirë do të vazhdojë njësoj deri në fund të vitit. Për këtë arsye, financat propozojnë: “kufizim i menjëhershëm i shpenzimeve operative dhe kapitale”.
Pranimi i krizës
Në relacionin që shoqëron vendimin e qeverisë, shprehet qartë se arka e shtetit është më e varfër se sa planet për investime. “Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, sipas të dhënave operative, të ardhurat e mbledhura nga tatimet e mbledhura nga tatimet e doganat kanë pasur një mosrealizim rreth 5.4 për qind kundrejt planit të parashikuar në buxhetin e vitit 2009”. Me një llogaritje të thjeshtë, në arkën e buxhetit mungojnë 6.2 miliardë lekë vetëm nga plani 6-mujor i doganave dhe tatimeve, ose rreth 70 milionë dollarë. Por sipas relacionit, në totalin e të ardhurave mungojnë 6 për qind, rreth 10 miliardë lekë ose rreth 110 milionë dollarë. Kjo është një shifër jo fort e ndjeshme për buxhetin e shtetit në total, por po të kihet parasysh se gjatë muajve të fushatës, janë prerë disa dhjetëra shirita inagurimi, atëherë duket qartë se buxheti nuk ka më para për investime të tjera. Në relacion pranohet qartë se ekonomia shqiptare është frenuar, edhe pse INSTAT tregoi se rritja ekonomike është 6 për qind. “Si rrjedhojë e efekteve negative të krizës, është vërejtur një ngadalësim i ritmit të rritjes së aktivitetit ekonomik, gjë e cila ka ndikuar në mënyrë direkte edhe në mosrealizimin e të ardhurave të planifikuara”.
Kërkesa ultimative
Financat nuk kanë lënë vend për diskutim në qeveri, lidhur me vendimin për mbylljen e investimeve. Në realicionin e vendimit theksohet qartë se ky vendim është i domosdoshëm për ekonominë e vendit. “Duke u mbështetur në treguesit ekonomik afatshkurtër dhe pritshmëritë, parashikohet që edhe për gjysmën e dytë të këtij viti të ardhurat e buxhetit të shtetit të kenë një tkurrje në krahasim me planifikimin fillestar të tij, pak a shumë në të njëjtat ritme. Nisur nga të dhënat paraprake të realizimit të të ardhurave për 6-mujorin e parë 2009, dhe të parashikimeve të përafërta për realizimin e pritshëm të tyre deri në fund të vitit, del e nevojshme kufizimi i menjëhershëm i shpenzimeve operative dhe kapitale”.

VENDIMi i plote

PËR NJË PËRDORIM ME EFEKTIVITET TË FONDEVE PËR INVESTIME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 75, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Mosfillimin e procedurave të prokurimit, për fondet e investimeve, të miratuara me ligjin nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, të paprokuruara deri më 3.8.2009. Investime të paprokuruara janë investimet, për të cilat deri më 3.8.2009, nga Agjencia e Prokurimit Publik nuk janë shpallur ose rishpallur procedurat e prokurimit.
2. Bëjnë përjashtim nga kufizimet e pikës 1, të këtij vendimi, investimet e miratuara për bashkëfinancime, për kosto vendore, TVSH, shpronësime për interesa publike dhe për infrastrukturën vendore, të financuara me grante konkurruese ose me të ardhurat e vetë njësive të qeverisjes vendore.
3. Zhbllokimi i fondeve, për investime, për të cilat do të shpallen procedurat e prokurimit pas datës 3.8.2009, lejohet  vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Berisha: Do luftojmë varfërinë
Qeveria do të ndërmarrë hapat e duhur për të luftuar varfërinë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha u shpreh se “Në mënyrë të përsëritur, harta e varfërisë dëshmon se disa zona të vendit përballen me një varfëri të qartë, me një përqindje pakrahasimisht më të lartë sesa në zona të tjera të vendit. Krahas veprimit të fuqishëm me pensionet, pagat e ulëta dhe punësimin, ne duhet të përcaktojmë një paketë diskriminimi pozitiv ndaj këtyre zonave, ku t’u krijojmë mundësi qytetarëve të tyre të ndërtojnë një jetë normale, me dinjitet dhe jashtë varfërisë”. Krahas punësimit, Kryeministri Berisha identifikoi edhe shkollimin si një ndër drejtimet parësore, ku do të përqendrohet qeveria. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ta përpunojë dhe paraqesë në qeveri këtë platformë brenda datës 18 gusht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›