E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, tre të vdekur në Durrës e Shkodër

 

DURRES – SHKODER - Aksidentet automobilistike në zonën e plazhit në Durrës u kanë marrë jetën dy pushuesve të moshuar. Në aksidentin e parë mjeti me targë TR 3214 që drejtohej nga E. Koka, i ka marrë jetën një të moshuari, i cili ende nuk është identifikuar. Ndërsa në një tjetër ngjarje ka gjetur vdekjen 73 - vjeçari Daut Arifi. Sipas policisë së Durrësit, i moshuari është përplasur me motoçikletën që drejtohej nga Xh. Karaboja. Ai është përcjellë për në spital, por gjithçka ka rezultuar e kotë, pasi ai nuk ka mundur t’i mbijetojë përplasjes me mjetin. Ndërkohë, po dje ka vdekur në spitalin e Tiranës 64-vjeçarja Sadete Cungu, nga Shkodra, e cila sipas policisë është përplasur mbrëmjen së martës, teksa lëvizte me biçikletë në rrugën në afërsi të Katedrales në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër. Po kështu, në një aksident rrugor në superstradën Fushë Krujë – Mamurras, janë përplasur tre mjete, dy “Benz”-a dhe një fuoristradë, të pushuesve kosovarë. Aksidenti ka ardhur si pasojë e frenimit të menjëhershëm të njërit nga “Benz”-at, çka ka bërë që dy mjetet që vinin pas tij të përplaseshin me njëri-tjetrin.                r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›