E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon zbori i opozitës, militantët u shkatërruan

Zbori i opozitës ka përfunduar si mos më keq. Nuk shikoje përveçse militantë që shtynin ditën me panine e qofte dhe që shfrynin kundër komandantëve të tyre; Edi K.Rama dhe Gramoz Hazbi Ruçi. Ai që hyn në lumë edhe do laget, mirëpo kjo lagie nga zbori ishte një pjellë e ish-ministrit të brendshëm të diktaturës në vitet ‘90 dhe e kryetarit E.Rama. Një paradë qesharake që kopjoi pikë për pikë marshimet dhe tribunat e viteve ‘97 në Vlorë, kur mercenarët e paguar kërkonin shkatërrimin e shtetit shqiptar, nën pretekstin se u kishin firuar financat e piramidave. Ca prej atyre figurave u shfaqën edhe në Tiranë. Lexohej sheshit krahasimi me Skënder Gjinushin e Namik Doklen... Edhe shtabi i protestës na shfaqi ato tipare që ne i kemi parë në vitin 97, në qytetin e revoltave. Ky lloj shtabi na ngjante me komitetin e shpëtimit, i cili gjithë ditën e perëndisë bënte deklarata përpara turmave që kërkonin paratë e humbura ndërsa i adresoheshin dhunës dhe forcës si mjete zgjidhjeje për të shpëtuar nga Berisha. Mbledhjet në çadër të kujtojnë kohë më të largëta. Opozita i ka të gjitha konditat  sepse tre hapa më larg ka bashkinë që e qeveris vetë prej dhjetë vjetësh. Mirëpo këto lloj mbledhje-çadrash nënkuptonin dhe aludonin një lloj komiteti shpëtimi si ai i ’97-s. Opozita ka të drejtë të protestojë mirëpo çështja është se kjo lloj proteste bëhet vetëm për qëllimet e tre-katër vetave në PS, të cilëve po u shket nën këmbë karrigia dhe ndihen të humbur. Çdo të thotë të kërkosh hapje kutish në fund të nëntorit? Ku ishte strukur opozita, e cila e pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe gjithë verës nuk bëri ndonjë demarsh për kundërshtim. Madje deputetët e zgjedhur të opozitës kishin prerë edhe kostumet e reja dhe prisnin të hynin në paralament deri ditën kur ministri i diktaturës, njolla e zezë në PS i sugjeroi kryetarit të humbur bojkotin dhe rrugët revolucionare. Tentativa e parë filloi në Fier, në “zonën e Ruçit”. Çfarë kërkonin në këtë protestë, qindra komisionerë të PS që i kanë firmosur procesverbalet  e votimeve? Përse nga Tirana në Vlorë dhe në qytete të tjera mbërrinin misionarë të cilët premtonin se do të rrëzohej Saliu, prandaj duhej shkuar në Tiranë? Derdheshin para dhe në dispozicion mafia e ndërtimit vinte mjete e autobusë. Kush i pagoi autobuzat për militantët? Kuptohet se janë tenderat e bashkive pas këtyre financimeve. Me gjithë këto harxhe, zbori i opozitës, i nisur si mos më keq, përfundoi në një beteje të shpartalluar, kur deputetët e PS u detyruan të bëjnë roje vetë nëpër çadra, sepse ushtarët ia kishin mbathur.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›