E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët kundër Ministrisë

 

Prokurorët kundërshtojnë përfundimet e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë mbi punën e tyre. Në fillim të këtij viti Ministria e Drejtësisë përfundoi një raport-kontroll në Prokurorinë e Tiranës, mbi dosjet e hetuara në gjysmën e dytë të vitit 2007 deri në fund të vitit 2009. Raporti u mbajt për disa kohë në Ministrinë e Drejtësisë dhe pasi u formatua iu përcoll prokurorisë së Përgjithshme për marrjen e masave konkrete. Prokuroria e Përgjithshme, e cila është njohur me raportin, thekson se nga më shumë se 5 mijë dosje të kontrolluara për çdo vit, ministria e Drejtësisë pretendon për shkelje apo mangësi të ndryshme në vetëm 300 dosje. Burime nga organi qendror i akuzës të cilat e konsiderojnë raportin e Ministrisë “jo alarmant” thonë se megjithatë akuzat e ngritura në raport, po verifikohen. Pjesë e këtij verifikimi ka qenë dërgimi i raportit në prokurorinë e Tiranës, tek prokurorët që kanë hetuar dosjet që janë gjetur me shkelje. Këtyre prokurorëve u është kërkuar oponencë nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila është e vendosur të vazhdojë më pas aplikimin e masave të duhura bazuar në konkluzionet e raportit. 
Prokurorët kundër shkeljeve
Shkeljet kryesore të pretenduara në raportin e Ministrisë së Drejtësisë, kanë të bëjnë me kualifikimin e veprave penale. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë pretenduar në raport se disa prokurorë i kanë vlerësuar si plagosje disa ngjarje të cilat në fakt kanë qenë tentativa vrasjesh. Po kështu, Ministria pretendon se ka pasur abuzime me masat e sigurimit, si dhe me respektimin e afateve procedurale të procedimeve penale, të cilat janë zgjatur ose janë shtyrë në kohë në mënyrë të pa argumentuar. Një tjetër vërejtje e Ministrisë së Drejtësisë është mosfillimi i hetimeve për disa kallëzime të cilat sipas inspektorëve kanë pasur prova të forta për krime të ndodhura, që janë lënë pa u hetuar. Por prokurorët e kryeqytetit duket se i kundërshtojnë pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë. Shumica prej tyre kanë përfunduar tanimë opon-encën e tyre me shkrim për vërejtjet e Ministrisë së Drejtësisë. Për çdo dosje ku është pretenduar shkelje Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar sqarime me shkrim nga prokurorët. Këta të fundit mësohet se kanë përfunduar objektisionet e tyre të cilat po dorëzohen në Prokurorinë e Përgjithshme ku më pas do të merren në shqyrtim. Sipas burimeve nga prokuroria e Tiranës, shumica e prokurorëve i mbrojnë vendimet që kanë marrë si të ligjshme dhe procedurale. Ata kundërshtojnë në këtë mënyrë, përfundimet e arritura nga Ministria e Drejtësisë, e cila e ushtroi kontrollin në Prokurorinë e Tiranës në kohën kur dikasteri drejtohej nga ish-ministri Enkelejd Alibeaj. Në përfundim të kontrollit, ky i fundit e dërgoi raportin në zyrën e kryeprokurores Ina Rama, duke propozuar shqyrtimin e rasteve të abuzimit nga prokurorët e Tiranës dhe marrjen e masave konkrete.

Kontrollet e dosjeve “mollë sherri”
E drejta e Ministrisë së Drejtësisë për të ushtruar kontroll mbi dosjet që hetohen nga Prokuroria ka shkaktuar jo pak përplasje mes dy institucioneve. Në vitin 2007, Ministria e Drejtësisë ushtroi një kontroll në prokurori, duke argumentuar kërkesën e mëhershme për shkarkimin e ish-kryeprokurorit Sollaku, një shkarkim që u konsiderua i padrejtë më pas nga Gjykata Kushtetuese. Ministria e Drejtësisë atëherë por edhe më vonë, ka këmbëngulur në disa raste të verifikojë dosje problematike apo çështje në hetim, edhe pse prokuroria e ka kundërshtuar këtë. Në shtatorin e vitit 2008 pas ndryshimeve në ligjin për prokurorinë, ku ministria fitoi më shumë hapësirë për kontroll në prokurori, përfaqësuesit e organit të akuzës e kundërshtuan këtë fakt duke e konsideruar cenim të pavarësisë së institucionit nga ekzekutivi.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›