E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lakrori hesht pas zgjedhjeve në PS

 

Aristir Lumezi

Kandidati për kryetar i PS-se, Maqo Lakrori, ende nuk ka një qëndrim për votimin e së shtunës. I pyetur nga gazeta “Panorama”, Lakrori tha se “është duke pritur shpalljen e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Zgjedhor në Parti”.  “Vetëm atëherë do të shpreh qëndrimin tim publik lidhur me zgjedhjet që u zhvilluan ditën e shtunë, ku socialistët u shprehën me votë për kryetarin e ardhshëm të PS-së”, tha Lakrori dje për gazetën. Mësohet se shtabi i tij është duke grumbulluar informacione nga shumica e qendrave të votimit, ku u zhvillua njëkohësisht dhe procesi i numërimit të votave për kreun socialist. Në garën për kreun socialist, Maqo Lakrori pati përballë tij kryetarin në detyrë Edi Rama, me të cilin zhvilloi një tur në 12 qarqet e vendit gjatë të cilit prezantoi platformën e tij për të ndryshuar PS-në nëse zgjidhej në krye të saj. Për të arritur në ditën e votimit, dy kandidatët, Edi Rama dhe Maqo Lakrori zhvilluan një tur në 12 qarqet e vendit, për të prezantuar para anëtarësisë platformat e tyre. Lakrori prezantoi platformën e tij të botuar dhe në një broshurë, ndërsa Rama në të gjitha takimet ka sqaruar pozicionin e PS-së ndaj bojkotit dhe rëndësinë e organizimit të protestave. Sipas Ramës, zgjedhjet e parakohshme mbeten alternativa e vetme pas hapjes së disa kutive të votimit në Kuvend. Por gara e tyre është konsideruar farsë nga disa deputetë dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare, të njohur tashmë si “Lëvizja për Mendim Ndryshe” brenda PS-së, të cilët i kërkuan Edi Ramës të mos rikandidonte më për postin e kryetarit, pasi projekti i tij dështoi bashkë me humbjen e PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit. 
Pas procesit të votimit ditën e shtunë, Maqo Lakrori u shpreh për mediat se ai pret që procesi të zhvillohet normalisht në të gjithë vendin. “Uroj që procesi të vazhdojë normalisht dhe në kohen e duhur do të bëjmë vlerësimin e këtij procesi”, u shpreh Lakrori. Maqo Lakrori depozitoi kandidaturën e tij në kongresin e jashtëzakonshëm të 29 gushtit, duke paraqitur dhe një platformë konkrete se si do të ndryshonte dhe do ta kthente në pushtet Partinë Socialiste. Platforma e Lakrorit bazohej në tre shtylla, që janë rritja e demokracisë së brendshme në PS, largimi nga kulti i individit dhe rritja e solidaritetit mes anëtarësisë.  Ndërsa Edi Rama ditën e votimit u shpreh për një proces normal dhe real. “Ky është një proces i natyrshëm e njëkohësisht real e për këtë arsye ka qenë dhe një proces që ka pasur vështirësitë e veta”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›