Rama rizgjidhet me 93 për qind
Aristir Lumezi
Edi Rama rikonfirmohen për herë të dytë në krye të PS-së me 93 për qind të votave. Në zgjedhjet e ditës së shtunë, ku 56 mijë nga 82 mijë socialistë, që figuronin në listat e zgjedhësve, iu drejtuan kutive në 387 qendra votimi për të zgjedhur një nga dy kandidatët mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit për të drejtuar PS-në në katër vitet e ardhshme. Pas një fushate që u zhvillua e përbashkët për të dy kandidatët, në 12 qarqet e vendit, sipas burimeve nga komisionet zgjedhore nëpër rrethe, Edi Rama rezulton të ketë marrë shumicën e votave të socialistëve. Ndërkohë, vazhdon puna për administrimin e procesverbaleve për të zyrtarizuar rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe kreun e ri të PS. Sipas rezultatit paraprak të dhënë nga komisioni Zgjedhor në PS, “në datën 26 Shtator 2009 u zhvilluan zgjedhjet për Kryetarin e Partisë Socialiste, në 383 njësi vendore, në të cilat u hapën 386 qendra votimi. Nga informacioni paraprak jo zyrtar rezulton se në zgjedhje morën pjesë rreth 56.000 anëtarë të PSSH-së. I shprehur në përqindje pjesëmarrja e anëtarëve të PSSH-së rezulton se në këto zgjedhje ishte mbi 65 %. Për kandidatin Edi Rama kanë votuar rreth 51.000 anëtarë ose rreth 93% e anëtarëve pjesëmarrës në votim, ndërsa për kandidatin Maqo Lakrori kanë votuar rreth 3700 anëtarë ose rreth 6.7 % e pjesëmarrësve në këtë proces”.
Deri dje pasdite ishin administruar procesverbalet dhe dokumentacioni zgjedhor të 20 komisioneve zgjedhore rajonale, materiale, të cilat janë duke u administruar nga ky Komision, ndërsa është ende në pritje për dokumentacionin e 17 rretheve të tjera për shkak të largësisë. Sipas selisë rozë, nga te gjitha vëzhgimet dhe informacionet e ardhura pranë Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë, është konstatuar së procesi është zhvilluar në normalitet të plotë dhe tërësisht në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Zgjedhjeve të PS. Rezultati përfundimtar pritet të dalë sot. Por sipas të dhënave të mbërritura në selinë rozë pranë Komisionit të Zgjedhjeve në Parti në qytetin e Tiranës, edhe pse përqindja e votuesve paraqitet më e vogël, afro 55-56%, për shkak edhe të mungesës se shumë emigrantëve, Rama ka arritur të votohet në masën 90%. Rezultate të tilla të larta janë raportuar nga rrethet e Durrësit, Shkodrës, Sarandës, Librazhdit, Pukës, Fierit, Beratit, Lushnjës, etj. Procesi ka ecur pa probleme pothuaj në të 12 qarqet, vetëm se në Korçë ka pasur anëtarë të PS-së që nuk kanë gjetur emrat në lista. Në Berat pati një pjesëmarrje 67%, dhe 1194 vota shkuan për Edi Ramën, kundrejt 187 të Lakrorit. Në Fier, pjesëmarrja ishte 68%, për Ramën votuan 3887 socialistë dhe 182 për Lakrorin. Socialistët lushnjarë votuan në masën 70%, dhe 3145 vota ja dhanë Edi Ramës e 142 Maqo Lakrorit. Ndërkaq, në Durrës votuan 63%, prej të cilëve 2670 votues kishin shënuar emrin e Edi Ramës dhe 165 të Lakrorit. Në Gjirokastër, Rama mori 380 vota ndërsa Lakrori 150 vota. Në Korçë pjesëmarrja ishte 40% ose 527 votuan, ndërsa Rama mori 467 vota kundrejt 42 të Lakrorit, 18 dolën të pavlefshme. Komisioni Zgjedhor i PS-së përmes një deklarate për mediat, falënderoi të gjithë zgjedhësit socialistë për “maturinë dhe qetësinë e treguar në këto zgjedhje të përgjithshme për Kryetarin e PSSH-së, si dhe falënderon në mënyrë të veçantë të 2100 socialistët, që administruan këtë proces në cilësinë e komisionerëve dhe vëzhguesve në 386 komisionet e votimit. Duke dëshmuar krahas përkushtimit politik dhe aftësitë e tyre administruese në respekt të normave e rregullave statutore”.
Rezultatet paraprake
Edi Rama 51 mijë vota ose 93%
Maqo Lakrori 3700 vota ose 6.7%
Anëtarësia 82 mijë
Votuan 56 mijë anëtarë, ose 65%
Qendra votimi 387
Komisionerë 2100
Pjesëmarrja
Tiranë 56%
Berat 67%
Fier 68%
Lushnje 70%
Durrës 63%
Korçë 40%
Tryeza e të majtës do përcaktojë axhendën
Pas konfirmimit të Edi Ramës në krye të PS-së pritet që të institucionalizohet tryeza e partive të majta me një axhendë të përcaktuar qartë që ka të bëjë me qëndrimin e saj përballë maxhorancës parlamentare. Pritet që kjo tryezë të avancojë në strategjinë e saj për krijimin e një federate të majtë, e cila deri para 28 qershorit ishte injoruar nga PS dhe pse disa nga partitë e majta, si PSD dhe PDS e kishin kërkuar institucionalizimin e saj para zgjedhjeve parlamentare. Javën e shkuar, kryetari i PS-së, Edi Rama, mblodhi në zyrën e tij krerët e PSD-se, Skënder Gjinushi, PBDNJ-së, Vangjel Dule, PDS-së, Paskal Milo dhe te G-99, Erjon Veliajn. Përkundër deklarimeve të ndërkombëtarëve që PS-ja të rikthehet në Kuvend, krerët e partive të majta kanë rënë dakord që të qëndrojë në fuqi bojkoti i PS-së, deri në plotësimin e kushteve nga ana e PD-së për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit. Sipas kreut të PDS-së, Paskal Milo: “Eshtë rikonfirmuar bindja për të mos u bërë pjesë e Parlamentit deri në plotësimin e kushteve, që kanë të bëjnë me atë zbardhje të krimit elektoral të 28 qershorit”.