E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Turizmi malor, një prioritet

Veriu i vendit ka resurse të shumta që do t’i shërbenin shumë industrisë së turizmit në vend. Qytetet veriore të Shqipërisë në një të afërme të afërt do të kenë mundësi zhvillimi për turizmin, i cili pritet të zhvillohet me hapa të shpejtë. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, gjatë vizitës që ka zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës, ka theksuar se ministria e ka prioritet zhvillimin e turizmit në zonat veriore. Turizmi malor, sipas Pangos, do të kthehet në prioritet për ministrinë, duke parë se edhe numri i turistëve është gjithnjë e në rritje në Shqipëri. Ky numër i madh i turistëve në vitet e ardhshme do të ketë më shumë mundësi për të provuar risitë që sjell vendi ynë. Ministri Pango theksoi dje se këtë vit Shqipëria ka pasur një bum të paparë frekuentimi nga turistët e huaj. “Vetëm deri në fund të muajit gusht kanë qenë 2 milionë e 80 mijë turistë në vendin tonë, dhe meqë jemi në Shkodër, numri i turistëve të ardhur nga Mali i Zi ka qenë 77 mijë, ndërsa nga Maqedonia janë regjistruar 280 mijë, të gjithë me kombësi dhe shtetësi maqedonase”, - tha ai. Ministri Pango shtoi se nga numri i turistëve të regjistruar këtë vit, Shqipëria ka lënë prapa Malin e Zi, Maqedoninë dhe Slloveninë. Ai shfaqi optimizëm edhe për të ardhmen e këtij sektori dhe sqaroi se kjo garanci "vjen edhe nga investimet që priten të bëhen nga kompanitë e huaja turistike në bregdetin shqiptar".

Duke folur për sigurinë e një fluksi edhe më të madh turistësh në periudhën në vazhdim, ministri Pango u ndal në mënyrë të veçantë tek turizmi malor, për të cilin tha se ministria që ai drejton, me mbështetjen e qeverisë shqiptare "e ka në prioritet të plotë". Ai përmendi edhe disa projekte që kompani shqiptare dhe të huaja kanë paraqitur për Shirokën, Velipojën, Thethin, Razmën etj. “Për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit në zonën veriore, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, po harton guida të veçanta turistike, fletëpalosje dhe një spot krejt të veçantë, vetëm për turizmin në veri, sidomos atë malor, i cili frekuentohet shumë nga të huajt”, - theksoi ministri Pango.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›