E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët, transplantime edhe në Iran

Më shumë mundësi kurimi për pacientët shqiptarë që kërkojnë të trajtohen me ndihmë mjekësore jashtë vendit, pa shpenzuar asgjë. Transplantet, të cilësuara si ndërhyrjet më të vështira në sektorin e shëndetësisë, do të realizohen për shqiptarët falas edhe nga shteti i Iranit. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, falë një marrëveshjeje të nënshkruar dje me ambasadorin e Iranit, Alibeman Eghbali Zarch, zgjeron akoma më shumë gamën e mundësive për shërim për pacientët shqiptar.

Transplantet

Gjithçka do të jetë falas për shtetasit shqiptarë, të cilët shumë shpejt mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje. Një ëndërr e shumë nefrologëve, transplantet, për vendin tonë ende është e parealizueshme për shumë shkaqe dhe arsye. Por dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në një takim me ambasadorin iranian, Alibeman Eghbali Zarch, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë, ku në mënyrë të veçantë ambasadori iranian i ofroi Godos bashkëpunim në fusha të tilla si, transplantet, si një nga fushat ku Irani ka ecur me hapa shumë të shpejtë dhe tregoi mikpritjen e tij, në bazë të një marrëveshjeje të ardhshme, për pacientët në nevojë për transplant në një nga spitalet më moderne në Iran, të specializuar në këtë fushë, si edhe prodhimin e medikamenteve, me anë të të cilave mbuloheshin 97 për qind e nevojave të vendit. Ministra e Shëndetësisë, znj.Anila Godo, e falënderoi ambasadorin edhe për gatishmërinë e treguar për bashkëpunim në fusha kaq të rëndësishme të shëndetësisë.

“Zhvillimi juaj na hap fusha të reja bashkëpunimi”, - tha ministrja Godo.

“Dy fusha të rëndësishme bashkëpunimi, - vijoi ministrja Godo, - janë ajo e transplantit, si pikë e dobët jona, që megjithëse me përpjekje për përshpejtim hapash, kemi ende shumë punë për të bërë”. Për këtë arsye, ministrja e Shëndetësisë, znj. Godo, propozoi për një marrëveshje dypalëshe, për një grup të caktuar pacientësh që mund të marrin trajtimin e këtij lloji në Iran.

Bashkëpunim

Propozim tjetër për bashkëpunim, ishte edhe ai i prodhimit të medikamentit ‘Imod’, medikament ky kundra sëmundjes vdekjeprurëse AIDS, studimet e të cilit po bëhen ekskluzivisht në Iran.

Në takimin e parë zyrtar të tyre, ambasadori iranian ka shfrytëzuar rastin për të kërkuar hapjen e klinikës së specializuar iraniane, e mbyllur për shkak të trazirave të vitit 1997, si edhe bashkëpunim universitar.

Ai, gjithashtu ka konfirmuar se në këtë bashkëpunim mund të ndihmohen studentët apo mjekët e rinj me një përvojë më të mirë e më të përparuar.

Fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi që ministrja e Shëndetësisë, znj. Godo, vuri theksin, ishte ajo e farmaceutikës, për shkak se prodhimi në vend është mjaft i dobët.

Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë, znj. Godo, vlerësoi propozimin për rihapjen e klinikës iraniane në Tiranë ose në ndonjë nga qytetet e mëdha të Shqipërisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›