E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH, masa të forta për rritjen e stabilitetit financiar

Zhvillimi i shpejtë i sistemit bankar, konkurrenca e madhe që po e karakterizon atë kohët e fundit, rendja e bankave për të zënë treg, po dikton nevojën për një kujdes më të madh nga ana e Bankës Qendrore. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka marrë një sërë masash për të rritur kujdesin në drejtim të stabilitetit të sistemit, një prej të cilave është dhe lançimi i një pakete rregullatore, që u bë e njohur në forumin e hapur që organizoi BSH-ja disa muaj më parë mbi sistemin bankar. Specialistët të bankingut bëjnë me dije se në thelbin e saj paketa synon një disiplinim më të mirë të sistemit bankar në drejtim të vlerësimit të rreziqeve që lidhen me kredinë, penalizimin e bankave kur shtohen kreditë me probleme, nxitjen e kreditimit në monedhën kombëtare, si dhe rritjen e transparencës dhe sqarimit të klientelës për çdo produkt apo shërbim. Të gjitha këto masa, bën të ditur BSH-ja, janë pasqyruar në disa prej vendimeve të marra në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës dhe kanë të bëjnë me rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e degëve të bankave të huaja”, “Në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”, “Për administrimin e rrezikut të kredisë”, “Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja” dhe “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›