Lehn sot në Beograd për misionin EULEX
BEOGRAD- Drejtori i Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor në Këshillin e BE, Stefan Lehne, do të bisedojë sot në Beograd me zyrtarët serb mbi Misionin EULEX dhe temat tjera lidhur me marrëdhëniet BE-Serbi. Vizita po bëhet në kuadër të tempit të shtuar në relacionin midis OKB dhe BE, dhe midis BE e Beogradit në përpjekje që të binden zyrtarët serbë për ta pranuar sistemimin e EULEX.
Këta hapa vijnë pas takimit të Sekretarit të Përgjithshëm të KB, Ban Ki Mun dhe përfaqësuesit të lartë të BE, Havier Solana, të cilët thuhet të jenë pajtuar që EULEX në Kosovë do të veprojë në bazë të Rezolutës 1244 të KS të KB, dhe në dokument nuk përmendet Plani i Ahtisarit.
Mediat serbe njoftojnë se negociatat ndërmjet Brukselit e Beogradit kanë gjasa të përfundojnë me sukses. Njëkohësisht ato citojnë pohimet e zyrtarëve serbë se edhe negociatat ndërmjet Serbisë dhe BE kanë lëvizur në drejtim të mirë mbi rolin e mëtejmë të UNMIK-ut, në kuadër të propozimit prej gjashtë pikave që Sekretari i Përgjithshëm i KB, Ban Ki Mun, ua ka adresuar kryetarëve të Serbisë e Kosovës, Boris Tadic e Fatmir Sejdiu lidhur me rikonfigurimin e UNMIK-ut.
(s.g/BalkanWeb)