E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtë për Shqipërinë

Kombëtarja shqiptare kapërceu mjaft mirë, në shortin e hedhur për kualifikimet e Botërorit ‘Brazili 2014’. Kuqezinjtë patën fat të madh, ngase nuk do të kenë punë me ndonjë superfuqi të futbollit. Ata u vendosën në Grupin E, së bashku me Qipron, Islandën, Norvegjinë, Slloveninë dhe Zvicrën e shqiptarëve. Nga Moral Pozhegu më 30 korrik 2011 në ora 22:35

Kombëtarja shqiptare kishte fat të madh në shortin që u hodh sonte në Rio de Janeiro, për fazën eliminatore të Botërorit ‘Brazili 2014’. Kuqezinjtë janë vendosur në Grupin E në Zonën e Evropës së bashku me Qipron, Islandën, Norvegjinë, Slloveninë dhe Zvicrën e shqiptarëve: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli, Valon Behrami e Albert Bunjaku.

Pra, ky grup përbëhet nga ekipe të nivelit mesatar dhe asnjëri nga kundërshtarët e ekipit të Josip Kuzes nuk është një superfuqi evropiane, apo botërore. Mbrojtësi i Kombëtares, Debatik Curri, ndihet mjaft i kënaqur me shortin. Ai thotë se nuk e mban në mend të ketë pasur ndonjëherë short më të lehtë për Shqipërinë.

“Në bazë të emrave, është grupi më i lehtë që e kemi pasur deri tash. Ekipet e këtij grupi nuk janë të forta, ka ekipe të mira, por jo superfuqi. Nuk është grup shumë i vështirë, edhe pse sot çdo ekip po di të luajë”, deklaroi futbollisti Vorsklas për Express.

Ai beson se më në fund Shqipëria e ka një shpresë më të madhe për kualifikim historik në një Botëror. “Zvicra ka ekip të mirë, ashtu edhe Sllovenia e Norvegjia, por nuk janë të pamposhtura. Mendoj se këtë radhë kemi mundësi, të paktën për barazh”, shtoi Curri.

Shqipëria ishte pjesë e vazos së katërt, bashkë me Skocinë, Bullgarinë, Poloninë, Austrinë, Rumaninë dhe Gjeorgjinë dhe duket se kaloi më së miri nga to.

Qipro dhe Islanda konsiderohen si autsajder të grupit, ndërsa kundërshtari më i fortë për Shqipërinë do të jetë Zvicra, por nuk duhet harruar as Slloveninë e Norvegjinë.

Grupi A, ‘luftë’ ish-jugosllave
Shorti i hedhur mbrëmë i ka vendosur tri vende ish jugosllave në të njëjtin grup, atë A. Kroacia dhe Serbia, armiq të përbetuar, do ta ndajnë të njëjtin grup dhe pritet një sfidë për ‘jetë a vdekje’ në mes të këtyre dy ekipeve. Ndërsa, aty gjendet edhe një tjetër vend ish jugosllav, Maqedonia.

Grup interesant do të jetë edhe ai I, ku do të jenë kampioni aktual i botës, Spanja dhe kampioni i dikurshëm, Franca. Ndërsa, pjesë e këtij grupi do të jetë edhe Finlanda e Përparim Hetemajt e Berat Sadikut. Kurse, Suedia e Emir Bajramit është pjesë e Grupit C, me kundërshtarin më të fortë, Gjermaninë.

Eliminatoret e Botërorit 2014, Zona e Evropës

Grupi A
1. Kroacia
2. Serbia
3. Belgjika
4. Skocia
5. Maqedonia
6. Uellsi

Grupi B
1. Italia
2. Danimarka
3. Rep. e Çekisë
4. Bullgaria
5. Armenia
6. Malta

Grupi C
1. Gjermania
2. Suedia
3. Rep. e Irlandës
4. Austria
5. Ishujt Faro
6. Kazakistani

Grupi D
1. Holanda
2. Turqia
3. Hungaria
4. Romania
5. Estonia
6. Andorra

Grupi E
1. Norvegjia
2. Sllovenia
3. Zvicra
4. Shqipëria
5. Qipro
6. Islanda

Grupi F
1. Portugalia
2. Rusia
3. Izraeli
4. Irlanda e V.
5. Azerbajxhani
6. Luksemburgu

Grupi G
1. Greqia
2. Sllovakia
3. Bosnja e H.
4. Lituania
5. Letonia
6. Lihtenshtajni

Grupi H
1. Anglia
2. Mali i Zi
3. Ukraina
4. Polonia
5. Moldavia
6. San Marino

Grupi I
1. Spanja
2. Franca
3. Bjellorusia
4. Gjeorgjia
5. Finlanda

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›