Leje në burg për të grabitur biznesmenin
Vetëm katër ditë liri, me leje të zyrtarëve të burgut të Shën Kollit në Lezhë, i kanë mjaftuar 23-vjeçarit Klodian Merajës për të organizuar dhe grabitur një biznesmen në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ku katër persona kanë arritur të depërtojnë në banesën e biznesmenit për të grabitur prej andej shumën e 80 mijë eurove. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se pas informacionit të marrë rreth tri ditë më parë, për vjedhjen me thyerje të banesës së administratorit të një firme mermeri, e ndodhur në fshatin Tufinë, Komuna Dajt, menjëherë u organizua puna mbi identifikimin dhe lokalizmin e autorëve të dyshuar të kësaj vjedhjeje. "Krahas formimit të grupit hetimor, me qëllim për të hetuar mbi këtë ngjarje është mundësuar identifikimi i menjëhershëm i autorëve të dyshuar. Është mundësuar kapja e autorëve të dyshuar, të cilët ishin të fshehur në ambientet e një banese të ndodhur në malin e Robit, pranë kompleksit turistik ‘Mak Albania‘ në Durrës", thanë burimet nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, ata janë Klodian Meraja, 23 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë, i proceduar disa herë për veprën penale të "vjedhjes". Ky shtetas vuante dënimin pranë burgut të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, i cili pasi kishte marrë leje për sjellje të mirë, pranë këtij institucioni rreth 4 ditë, është larguar me synim për të realizuar këtë vjedhje. I dyti në pranga është Jashar Meta, 23 vjeç, i proceduar disa herë për veprat penale të "armëmbajtjes pa leje" dhe "vjedhje me dhunë". Sipas policisë, ky shtetas ishte nën hetim të lirë me vendim të Gjykatës së Tiranës, për konsumim të veprave penale të lartë përmendura. Në pranga ka rënë edhe Afërdita Lela, 21 vjeçe, lindur e banuese në Sukth, e pa dënuar, e cila ka bashkëpunuar me Klodianin për t‘u larguar nga Tirana. Në njoftimin e policisë thuhet se në pranga ka përfunduar edhe Lefter Xerozi, 50 vjeç emigrant në Greqi, i cili është edhe babai i Klodian Merajës. "U dokumentua tërësisht implikimi i tyre në vjedhjen e banesës së ndodhur në fshatin Tufinë, Komuna Dajt, të cilët në bashkëpunim dyshohet të kenë realizuar grabitjen e shumës së parave prej 80 mijë eurosh, në pronësi të administratorit të një firme mermeri. Gjithashtu në lidhje me këtë vjedhje do të ndiqet në hetim të lirë edhe shtetasja Elsa Kaja, 21 vjeçe, studente pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë" thuhet në njoftimin e policisë. Sipas saj, në sajë të një kontrolli në banesat e tyre, u gjendën dhe u sekuestruan një automjet tip BMW me targa TR 2747 H, si dhe shuma e parave prej 2 milionë valutë e huaj dhe shqiptare.