E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjaft!": Qeveria, e papërgjegjshme për Gërdecin

Qëndrimi i qeverisë "Berisha" ndaj familjeve të prekura nga shpërthimi i Gërdecit kritikohet ashpër nga familjarët, shoqëria civile, analistët e medias dhe deputetë të LSI-së. Pasditen e djeshme qindra banorë të fshatrave të prekura nga shpërthimi i 15 marsit kanë gjetur mbështetje në protestën e tyre për nxjerrjen jashtë vendit ku po strehohen aktualisht, të detyruar nga pasojat e një ngjarjeje të paprecedentë. Qeveria është cilësuar jo vetëm si shkaktarja e shpërthimit të Gërdecit, por edhe si e papërgjegjshme dhe e paturp në qëndrimet, deklaratat e saj ndaj banorëve, duke mohuar premtimet për zgjidhje në kohë rekord të situatës dhe kthimin e fshatrave në gjendjen e mëparshme. Jo vetëm kjo që nuk është arritur, po banorët rrezikojnë shëndetin, jetën e tyre, duke u detyruar të kthehen në një territor që vlerësohet nga specialistët si i kontaminuar.

Dalin, s‘dalin

Qëndrimi i familjeve të prekura nga shpërthimi i Gërdecit në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës është kthyer në një lojë luledelesh. Të strehuarit në këto ambiente kanë protestuar në mënyrë të vazhdueshme, ndonëse jo të organizuar ndaj qëndrimit të qeverisë "Berisha" në lidhje me situatën e tyre, po pasditen e djeshme protestës i është bashkuar edhe lëvizja "Mjaft!", analistë të medias shqiptare, si dhe deputetë përfaqësues të opozitës. Afrimi i 1 qershorit, datë që është deklaruar se do të jetë dita e fundit e strehimit në ambientet e Konvaleshencës durrsake ka sjellë pranë banorëve të irrituar aktivistët e lëvizjes "Mjaft!", analistët Artur Zheji dhe Andrea Stefani, si dhe deputetët Pëllumb Xhufi dhe Petro Koçi. Zëri është ngritur ndaj një qeverie që pasi shkakton tragjedinë lë të pashpresë, në një udhëkryq real dhe psiko-emocional të prekurit prej saj. Familjarët, veçanërisht gratë, fëmijët e të moshuarit ndjehen të trembur nga fati që i pret familjet e tyre në ditët në vazhdim. Ata kanë protestuar ndaj situatës që po kalojnë dhe asaj që do të vijë më pas, ndërsa ndjehen të braktisur nga qeveria e tyre. Aktivistë, analistë dhe deputetët e LSI-së kanë kundërshtuar nxjerrjen nga hotelet e Shtëpisë së Pushimit të Durrësit të familjeve të strehuara në to, kur mungojnë zgjidhjet konkrete. Paratë që pritet të akordohen për familjet në gjetjen dhe akomodimin në shtëpi me qira janë konsideruar të pamjaftueshme, ndërsa në Vorë tregu i banesave me qira është thuajse inekzistent krahasuar me shumat në dispozicion dhe nevojat. Familjarët kanë kërkuar mbështetje dhe lidhur me vlerësimet joreale dhe aspak objektive të shtëpive të dëmtuara. Ata thonë se shtëpitë e tyre dhe mjedisi në fshatrat ku jetojnë janë krejtësisht të pabanueshme, ndërsa fondet e akorduara për riparime janë të pamjaftueshme për të mbuluar krejtësisht dëmtimet. "Ne nuk kemi ku të shkojmë dhe as nuk mund të jetojmë me fëmijë në çadra", - thanë të strehuarit. Një pjesë e mirë e tyre kërkojnë me këmbëngulje rivlerësim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›