E Diel, 1 Nëntor 2026

Varroset polici i vrarë, Gjergj Mehmeti

Njëmbëdhjetë vjet pas vrasjes, shteti shqiptar bën homazhe për policin Gjergj Mehmeti. Ditën e djeshme, në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, u zhvilluan homazhe në nder të Dëshmorit të Atdheut, Gjergj Mehmeti. Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit, që nga Jozefina Topalli, Sali Berisha, përfaqësues të kabinetit qeveritar, deputetë dhe drejtues të lartë të policisë. Kryetarja e Kuvendit, pas ceremonisë së homazheve, tha për mediat se Gjergj Mehmeti është një hero që dha jetën në mbrojtje të shtetit. "Gjergj Mehmeti ishte një djalë i ri kur kishte detyrën e tij si oficer i policisë në vitin ‘97, kur e plagosën dhe, në mënyrën më mizore, e dogjën të gjallë. Në fakt, ai vetëm po mbronte shtetin, vetëm po bënte detyrën e tij. Ndaj dhe unë e konsideroj një hero, vepra e tij është e jashtëzakonshme. Është një inspirim për të gjithë ne dhe na bën krenarë. Bën krenar familjen e tij, dy fëmijët, që i la shumë të vegjël dhe të gjithëve ne. Ky është respekti ndaj shtetit, respekti ndaj detyrës, me sakrificë sublime. Është një hero dhe ne nderojmë me përulje sot", u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Ndërkohë, në vlerësim dhe nderim të punës dhe përkushtimit të Gjergj Mehmetit, Kryeministri Berisha tha se pavarësisht se kriminelët dhe falangat e rebelimit ia dolën ta djegin të gjallë Gjergj Mehmetin, ai është i përjetësuar në altarin e lirisë së kombit shqiptar. "Sot Shqipëria dhe shqiptarët i bëjnë nderimin e merituar, i kthejnë borxhin njërit prej shërbëtorëve më të shkëlqyer të kombit dhe të shtetit, njërit prej oficerëve më trima të Policisë së Shtetit, i cili u dogj për së gjalli për të mbrojtur ligjin, rendin dhe jetën e qytetarëve. Gjergj Mehmeti ishte një nga oficerët më trima të policisë shqiptare", u shpreh Berisha. Pas homazheve të bëra në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, kortezhi u drejtua për në Varrezat e Dëshmorëve. Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, u shpreh se "Gjergj Mehmeti ishte i ri në moshë, e megjithatë, ai me heroizëm e trimëri të rrallë u përball me krimin dhe e mposhti atë, ai ishte njeri i përkushtuar ndaj detyrës dhe jetës së qytetarit dhe flijoi për to. Ai sot merr bekimin e merituar të Vlorës, ku u lind, u rrit dhe u edukua, pasi e deshi me gjithë shpirt atë. Ai sot merr bekimin e mbarë shqiptarëve se sakrifikoi si hero për to". Sipas Prençit, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit sot e gjithherë do të mbajnë në gjirin e vet njeriun dhe oficerin Gjergj, i cili sakrifikoi jetën në mbrojtje të ligjit dhe të Rendit Kushtetues, që derdhi gjakun në emër të jetës, në emër të së ardhmes. "Ai radhitet sot përkrah 235 dëshmorëve të tjerë të policisë që dhanë jetën në emër të mbrojtjes së mijëra jetëve, që me guximin, heroizmin e sakrificat janë bërë guri dhe themeli i inkurajimit, sigurisë e privacionit në punën tonë sot dhe në të ardhmen", përfundoi Prençi. Pas fjalës së Drejtorit të Përgjithshëm në emër të familjes Mehmeti fjalën e mori Eltoni, djali i Dëshmorit të Atdheut. Ndër të tjera, në fjalën e tij, ai falënderoi pjesëmarrësit në këtë ceremoni, duke nënvizuar faktin se ky vlerësim përbën nder jo vetëm për të atin që dha jetën për mbrojtjen e jetës e sigurisë publike, por edhe për familjen e tij dhe në mënyrë të veçantë fëmijët, të cilëve do t‘iu shërbejë si model për të qenë qytetarë të denjë të shoqërisë.

Gjergj Mehmeti

Dëshmori i Atdheut, Gjergj Mehmeti, lindi në vitin 1957 në Vlorë. Pasi mbaroi shkollën e lartë të Policisë ai u emërua oficer i policisë dhe ka punuar në funksione të ndryshme. Gjatë gjithë kohës që ai shërbeu në strukturat e policisë është dalluar për kryerjen e detyrave me përgjegjësi të lartë, duke shërbyer me devotshmëri dhe me përkushtim për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike dhe të qytetarëve, duke zbatuar me korrektësi ligjin, duke dhënë dhe jetën në krye të detyrës më datë 4 mars të vitit 1997 në moshën 40-vjeçare, në Qafë-Gjashtë, Sarandë. Më datë 4 korrik 2003, me dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ai u shpall "Dëshmor i Atdheut".

Ekspertiza

Oficeri i

policisë u

qëllua 5 herë

Ekspertiza mjekoligjore në eshtrat e Gjergj Mehmetit, i ekzekutuar në masakrën e 4 marsit 1997 në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë në Sarandë, ka evidentuar pesë predha fishekësh kallashnikovi. Hetuesit e çështjes dyshojnë se mbi trupin e Dëshmorit të Kombit është qëlluar me breshëri automatiku dhe më pas trupi i tij është djegur nga të arrestuarit e masakrës së Qafë-Gjashtës. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se automjeti me të cilin udhëtonin oficerët e policisë për të rivendosur rendin në Sarandë ka marrë flakë nga breshëria e automatikut e derdhur mbi të. Në të ndodhej Gjergj Mehmeti, trupi i të cilit është dekompozuar pjesërisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›