E Diel, 1 Nëntor 2026

Londër, Milliband pret Ramën: Laburistët mbështesin PS-në

LONDER - Kryetari socialist, Edi Rama nisi sot një seri takimesh e konsultimesh për programin e ri të partisë, në Britaninë e Madhe. Gjatë pasdites kryesocialisti zhvilloi një takim me deputetët e parlamentit anglez Ed Milliband, Douglas Alexander, David Milliband.

Përmes një mesazhi në rrjetin social Twitter, Rama bëri të ditur se në takimin me liderin e Partisë Laburiste Ed Milliband u diskutua rreth situatës politike në Shqipëri dhe programin e ri të PS-së për rritjen e punësimit dhe mbështetjen ndaj biznesit.

Rama ka marrë përgëzimet e liderit laburist për hapat që ka ndërmarrë opozita shqiptare në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, si dhe mbështetjen e Partisë Laburiste.

Edhe ish ministri i jashtëm David Milliband shkroi një mesazh në faqen zyrtare të kreut të PS-së në Twitter, ku e cilësoi takimin me Ramën si mjaft interesant, ndërsa theksoi se në Shqipëri priten ndryshime të mëdha.

Vizita e Ramës në Londër pason atë të javës së shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjithashtu takimet e kreut socialist ishin të një niveli të lartë. Ky tur vizitash jashtë vendit, për të shpjeguar pikat kryesore të programit të PS-së, bëhet në një kohë kur PS ka nisur edhe një aksion të brendshëm në parti, për ristrukturimin e degëve të saj, për t'u përgatitur seriozisht për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›