E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi, arrestohet serial-killeri, kanibal

MOSKE-Një vrasës serial që praktikonte kanibalizëm është zbuluar në Rusinë Qëndrore. Vrasësi rrëfeu 6 vrasje, ndërkohë që dyshojnë se numri mund të rritet edhe më shumë. Policia bën të ditur se i riu kryente krime për t’i bërë përshtypje të dashurës së tij.

24-vjecari Aleksandr Bychkov u arrestua pak kohë më parë në rajonin Penza nën dyshimin për disa vjedhje në dyqane. Papritur kur u mor në pyetje ai nis të rrëfejë tek policët se pranë shtëpisë së tij kishte fshehur trupa të vrarë duke lënë të cuditur policinë. Policia ruse bëri të ditur se nisur nga të dhënat e 24-vjecarit kreu kërkimet duke gjetur mbeturinat e 6 kufomave. Mbetjet u cuan në laborator për ekzaminime të mëtejshme.

Kanë qenë rezultatet e ekzaminimeve që dëshmuan se Bychkov kishte copëtuar viktimat në copa. Dyshohet se ai ua ka prerë organet teksa ata ishin gjallë dhe më pas i ka ngrënë.

"Po shtohen episodet me kanibalizma në vend”, citon sot e përditshmja ruse “Izvestia”, një burim të lartë të policisë vendase.

Nga të dhënat e para mësohet se, Bychkov me veprimet e kryera përpiqej ti pëlqente të dashurës së tij.
“Ajo tallet me mua. Më thotë që s’kam gjemba, që jam një ujk i vetmuar. Unë i provoj të kundërtën. Ajo në fakt nuk e di këtë sekret, por unë nuk do t’ja tregoj kurrë”, shkruante 24-vjecari në ditarin e tij, citon sot tabloidi ‘LifeNews’.
Sipas këtij tabloidi, Bychkov ka treguar se ka dhe një viktimë të shtatë. Policia në fakt dyshon se numri mund të rritet dhe më tej pasi nga viti 2009 deri në vitin 2011 ka shumë raste të personave të zhdukur në këtë rajon të Rusisë.

“I dyshuari identifikoi viktimat nëpërmjet fotografive që i treguan policët”, bëri të ditur zëdhënësi zyrtar i hetimeve.

Lajmet në gazeta përhapën panik në zonë ndaj policia u detyrua disa herë të përgënjeshtronte se të gjitha vrasjet ishin kryer në qytezën e vogël, Belinsk.

Nëna e tij, Irina shprehet se është e pamundur që djali i saj të ketë kryer këto vrasje. "Nuk dal dot më nga shtëpia. Njerëzit tani me akuzojnë mua, jo vetëm djalin tim. Ata mendojnë se unë kam përdorur mish të grirë të viktimave dhe e kam shitur në market”.

Por, kanibalizmi nuk paraqet shkelje të veçantë në kodin penal të Rusisë, prandaj i arrestuari akuzohet vetëm për vrasje.

Në vitet e fundit, policia ka zbuluar një numër rastesh të kanibalizmit në Rusi.

(d.bonollari/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›