E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit, Ndoka padi për shpifje ndaj Berishës

Kryetari i PDK-së i cilëson shpifje akuzat e kryeministrit për përfitim trojesh në mënyrë të paligjshme


TRANË- Pas akuzave të Kryeministrit Sali Berisha ndaj kryedemokristianit, Nard
Ndoka, për përfitim të lejeve të ndërtimit në mënyrë antiligjore, ky i fundit i është përgjigjur zyrtarisht dje duke depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal për shpifje.


Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka deklaruar se akuzat e Kryeministrit Berisha janë shpifje e ulët. Sipas Ndokës, përpjekjet që po bën Berisha ndaj Partisë Demokristiane janë të papranueshme. Lideri i demokristianëve theksoi se, Kryeministri Berisha pasi i vodhi votat e 28 Qershorit PDK-së, tani po kërkon të prishë edhe imazhin e kësaj force politike.


"Është e papranueshme, që kryeministri, pasi i vodhi votat PDK-së dhe i grabiti mandatin në Shkodër, tani nëpërmjet shpifjeve banale ndaj Kryetarit të Partisë Demokristiane kërkon të vjedhë edhe imazhin e PDK-së", - tha dje Ndoka.


Ai kërkoi që institucionet e drejtësisë të hetojnë këtë rast për të vënë para ligjit Kryeministrin e vendit për shpifjet, që ka adresuar në emër të tij. "Kryetari i Partisë Demokristiane, pas depozitimit të kallëzimit penal kërkoi nga institucionet e drejtësisë që të vënë para ligjit kryeministrin për shpifjet e tij banale dhe të turpshme.


Në shtetin e së drejtës, edhe Kryeministri është i barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë para ligjit", - thuhet në deklaratën e lëshuar dje nga zyra e shtypit e Partisë Demokristiane.


Pak ditë më parë, përmes një konference për shtyp, Kryeministri Berisha akuzoi deputetë të së majtës, biznesmenë, që sot nuk përkrahin politikën e tij, si dhe kreun e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, se ata kanë përfituar në mënyrë të paligjshme leje ndërtimi.


Sipas Berishës, kryetari i demokristianëve zotëron një firmë ndërtimi me emrin "Nardi Construction", që sipas Berishës e ka përfituar, duke shkelur ligjin nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama .


Në akuzat e tij adresuar Ndokës, Berisha theksonte se kjo firmë ka marrë mbi 28 mijë metër katror truall ndërtimi, gjë që është hedhur poshtë nga kryetari i PDK-së, i cili dje depozitoi edhe një padi për shpifje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›