E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejet e ndërtimit, jo më nga bashkitë



Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend nisi dje shqyrtimin e projektligjit të ri për planifikimin e territorit. Ekspertët e pranishëm bënë të ditur se ky projektligj detyron të gjitha njësitë vendore të hartojnë planet urbanistike. Brenda vitit 2012 pritet që çdo njësi të ketë plan urbanistik, duke bërë të mundur që lejet e ndërtimit dhe zhvillimit të jepen nga plani dhe jo KRRT-të. Marin Biçoku, drejtori i Urbanistikës në Ministrinë e Transporteve tha dje: “Lihet një hapësirë e mjaftueshme për zhvillim dhe ndërtim, por këtë nuk e përcaktojnë më bashkitë, por vetë plani urbanistik”. Ky projektligj parashikon një sistem krejt të ri të planifikimit të territorit, kompetenca të reja, institucione të reja, afate për çdo bashki apo komunë, si dhe vendos transparencë të plotë në mënyrën e ndërtimeve. Projekti i qeverisë vendos si afat që dy vite pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk do të ketë asnjë bashki në vend pa plan urbanistik. Lëshimi i lejes së ndërtimit kryhet vetëm pas shqyrtimit e verifikimit të përputhshmërisë së kërkesës me rregulloret e ndërtimit në fuqi ose me përcaktimet e lejes së zhvillimit. Çdo leje ndërtimi jepet në bazë të një kërkese të veçantë, e cila mund të kryhet njëkohësisht me kërkesën për zhvillim, kur lejohet nga rregulloret e kontrollit të zhvillimit. Afatet minimale dhe maksimale për kryerjen e punimeve të ndryshme përcaktohen në rregulloret e kontrollit të zhvillimit. Leja e ndërtimit lëshohet sipas kërkesave të neneve 71 deri në 75 të këtij ligji, që do të thotë se nuk vonohet më shumë se 55 ditë. Me bërjen e planeve në të gjithë vendin, do të përcaktohen qartë zonat ku do të ndërtohen zonat e gjelbra, vendet publike etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›