E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, dakord për Gjykatën Administrative



Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord në parim për ngritjen e Gjykatave Administrative. Komisioni i Ligjeve nisi shqyrtimin dje të projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative”, një nismë ligjore risi në Shqipëri. Deputetët e PS-së pranuan në parim këtë nismë, por kërkuan që detajet teknike të shqyrtohen nga ekspertët. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, theksoi se nisma ligjore ka marrë dakordësinë e të gjitha grupeve të interesit. “Për hartimin e tij është marrë për bazë edhe ekspertiza më e mirë ndërkombëtare, pasi “gjykimi i një mosmarrëveshje administrative” është një risi për Shqipërinë. Filozofia mbi të cilën qeveria dhe Ministria e Drejtësisë është bazuar për sa i takon ndërmarrjes së iniciativave ligjore, ka qenë se këto janë reforma ligjore që i përkasin jo vetëm ministrisë apo qeverisë, por edhe Parlamentit dhe të gjitha grupeve politike dhe juridike”, - tha Alibeaj. Ai theksoi se për hartimin e këtij ligji ka pasur ndihmë edhe nga ekspertë të huaj. Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, kërkoi kohë për të shqyrtuar nismën dhe detajet teknike të saj. “Kërkojmë marrjen e të gjitha garancive reale nga ana e ekzekutivit për sigurimin e ambienteve të përshtatshme për gjykime që sigurojnë akses të plotë. Jemi të mendimit se reformat afatgjata dhe të qëndrueshme, të cilat u përgjigjen nevojave reale të zhvillimit, mund të kryhen vetëm pas diskutimeve e konsultimeve me aktorët e fushës (gjyqtarë, avokatë, grupet e interesit) dhe domosdoshmërisht me partneret ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë procesin e reformave në sistemin tonë të drejtësisë”, - tha Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›