E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e përgjimeve pengojnë kapjen e trafikantëve të drogës

Problematika e seksionit të antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Kanë pasur rezultate të kënaqshme në luftën kundër trafikut të drogës, por mund të ishin edhe më mirë nëse do t’u siguroheshin lehtësira procedurale në punën e tyre. Specialistë të policisë bëjnë me dije se lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike kërkon shpejtësi veprimesh, pasi gjithnjë trafikantët i përsosin mënyrat e veprimit të tyre dhe, madje, janë edhe më përpara në logjistikë apo kanë eliminuar procedurat “burokratike” për të realizuar “biznesin” e tyre të kundërligjshëm. Ndryshe ndodh me policinë, së cilës i duhet të zbatojnë procedurat e zgjatura për të marrë lejet e nevojshme për të nisur hetimin për grupet kriminale. Përjashtim këtu nuk bënë as Seksioni i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Më evidente është procedura e marrjes së lejes për fillimin e hetimit me metoda speciale, kryesisht për përgjimin e elementëve të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike apo dhe të lidhjeve të tyre. Sikur të mos mjaftonte struktura e pakët në numër apo dhe pamundësia e mbulimit tërësisht të metropolit, për shkak të shtrirjes së tij, inspektorët hasin edhe pengesa procedurale për realizimin e detyrës, si edhe ndërpresin hetimin nëse në lidhjet e të dyshuarve për trafik dalin persona me imunitet.

Lejet e përgjimit

Pengesa më evidente në realizimin e hetimeve nga inspektorët e antidrogës është marrja e lejeve për përgjimin e numrave të telefonisë së lëvizshme. Procedura burokratike për të marrë lejen vonon në realizimin në kohë të operacioneve. Specialistët thonë se kur janë shpejtuar procedurat, pra ato janë realizuar në kohë rekord, rezultatet kanë qenë të dukshme në kapjen e sasive të konsiderueshme të drogave të forta. Përpara se të nisin një operacion hetimi me metoda speciale seksioni raporton në dy shkallë, te shefi i sektorit të krimit të organizuar dhe nëndrejtori për hetimin e krimit, e ky i fundit te drejtori i policisë. Me miratimin e këtij të fundit ata i drejtohen prokurorisë, përfaqësuesit të akuzës që është ngarkuar me përgjimet, ku paraqesin faktet që disponojnë momentalisht për aktivitetin e personit të dyshuar. Prokurori brenda 24 orësh u kërkon atyre të realizojnë hetimin paraprak për të bindur gjykatën për vazhdimin e operacionit që do të çojë në dokumentimin e aktivitetit kriminal. Pengesë nuk mendohet se është prokuroria, por gjykata, e cila në rastet e paraqitjes së kërkesave për përgjimin e numrit të të dyshuarit për implikim në trafikun e narkotikëve, kërkon të sigurohen që personi që do të vihet në përgjim nuk ka imunitet. Pra, duan që strukturat e hetimit t’u drejtohen kompanive për të marrë emrin e personit të cilit i takon numri. Këtu procedura zgjatet, pasi kompanitë vonojnë në kthimin e përgjigjes. Depozitimi i kërkesës kalon në disa duar dhe kush i garanton ekspertët se nuk njoftohen personat se organet policore do të vënë në përgjim numrat e tyre. Mund të ndodhë që elementi kriminal ndërron numrin dhe nis nga e para procedura e verifikimit. Ka pasur edhe ndonjë rast kur togat e zeza edhe pse kanë pasur fakte të pakontestueshme ata nuk kanë dashur të japin të drejtën e përgjimit paraprak, pasi nëse do të dilte se numri i përkiste ndonjë kolegu të tyre, do të ishte ky i fundit që nesër mund të lejonte të njëjtën gjë për ta. Hap pas hapi procedurat për policinë bëhen më burokratike, kur ndodh e kundërta me kundërshtarët e tyre, të cilët operojnë shpejt duke ua lënë “dopjogjashtën” në dorë inspektorëve të antidrogës. Duhen gjetur hapësira për shkurtimin e procedurave burokratike për të ndihmuar strukturat e antidrogës për të qenë më efikasë në realizimin e operacioneve, duke u dhënë mundësi atyre të jenë në koherencë me kundërshtarët e tyre, trafikantët e lëndëve narkotikëve.

Probleme të tjera

Drejtoria e Policisë së Tiranës ka një seksion të luftës kundër narkotikëve. Aktualisht, në dispozicion të saj janë vetëm 8 oficerë kur duhet të ishin 10 të tillë. Kjo pamjaftueshmëri organike sjell pamundësinë e mbulimit të një qytetit si Tirana. Specialistët mendojnë se është e pamundur të mbulohet një territor kaq i madh. Madje, ata hedhin idenë e krijimit të një strukture më të madhe në numër, duke u nisur edhe nga shembulli i riorganizimit të Policisë Rrugore, e cila me strukturën e re do të ketë 1 drejtori në Tiranë. Një tjetër problem për inspektorët e antidrogës dhe vartësit e tyre është mospasja e mundësisë për të kontrolluar shtetasit e huaj, ata që dyshohet se kanë aktivitet. Sipas specialistëve, këta të fundit vijnë veprojnë e ikin pa u dhënë mundësinë inspektorëve që të vëzhgojnë aktivitetin e tyre. Struktura antidrogë në Drejtorinë e Tiranës ka pamjaftueshmëri logjistike; mjetet lëvizëse dhe teknikë, kur trafikantët i kanë të zgjidhura dhjetëra herë më mirë këto probleme. Specialistët mendojnë se sa vjen e vështirësohet puna për gjurmimin e tyre, pasi ata lëvizin me mjete të shpejta duke pasur mundësinë të realizojnë më shpejt aktivitetin e tyre kriminal, duke lënë pas strukturat që u kundërvihen.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›