E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petersen: Udhëheqësit e Kosovës duhej të kishin bërë më shumë

Ish-kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Soren Jessen Petersen thotë se nuk ka parë një strategji dhe aktivitet të institucioneve të Kosovës që do të inkurajonin dhe promovonin njohjet ashtu siç ka vepruar Serbia me përpjekjet për të bllokuar pranimin e pavarësisë. "Unë ende nuk e kam parë një strategji dhe ende nuk kam parë ato lloj aktivitetesh që do të inkurajonin dhe promovonin njohjet ashtu si kemi parë nga Serbia që po e bllokon njohjen. Mendoj se udhëheqësit e Kosovës do të duhej të kishin bërë më shumë", tha Petersen në një intervistë për BBC-në. Sipas tij, nisma e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB së do ta zgjasë paqartësinë në rajon dhe do të mbajë peng edhe Kosovën dhe gjithë Ballkanin. Petersen tha se kjo nismë nuk mund të ndryshojë faktin se Kosova është e pavarur, por mund të ndikojë në disa nga qeveritë dhe investitorët e huaj, që po e vlerësojnë ende hapin e tyre në raport me Kosovën. Por Petersen tha se mbështetësi kryesor i Serbisë, Rusia nuk mund të vazhdojë ta ndihmojë më, sepse, sipas tij, e ka sakrifikuar Serbinë pas ndërhyrjes në Gjeorgji dhe njohjes së pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Ish-kryeadministratori i Kosovës tha se BE ja duhet të jetë më e qartë me Serbinë dhe të dërgojë porosi për të nëse ajo e do BE në apo Kosovën. Sipas tij Serbia nuk mund të vazhdojë të kundërshtojë vendosjen e EULEX-it në Kosovë.QIK

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›